–Pavarësisht kërkesës për lirinë, Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg Rexhep Rrajën.
Djali i deputetit apeloi masën e arrestit me burg duke kërkuar lirinë në Apel
Rexhep Rraja nuk mori pjesë në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.
Përmes avokatit të tij, djali i deputetit kishte paraqitur kërkesën në Apel për lirimin e tij nga paraburgimi. Vetë Rexhep Rraja zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë dhe njoftoi përmes një letre mospjesmarrjen.
“Për arsye personale nuk dëshiroj të marr pjesë në seancë”.
Argumentat e avokatit, Ilir Murati, ishin se nuk ka vepër penale për përndjekje apo dhunë ndaj Xhisiela Malokut, siç pretendon Prokuroria.
“Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Krujës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm.Kemi një histori rozë që nuk ka të bëjë me veprën penale të përndjekjes. Dëmtimet e shkaktuar te shtetasja Xhisela Maloku nuk përcaktojnë kohën kur është bërë” ka deklaruar avokati.
Avokati Murati përdori si argument në seancë edhe deklaratat e fundit të vajzës.
“Xhisiela Maloku del përditë në televizione dhe thotë se nuk është përndjekur. Çështja është politizuar dhe ju jeni në presion”.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i relatores së çështjes, gjyqtares Shpresa Beçaj, e cila është shprehur: “Nuk ju lejoj të thoni se jemi në presion, nuk kemi asnjë presion.Trupi gjykues është i pandikuar nga askush dhe do të shqyrtojë aktet e dosjes”.
“Presioni politik çoi në arrestimin e Rrajas në 30 shtator, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në 23 korrik. Keni pamjet kur dalin nga hoteli kur dalin të përqafuar, arrestimi është i paligjshëm. Nëna e klientit tim është në momentet e fundit të jetës, ndërsa babai i tij ka pësuar aksident.Për shkak të këtyre rrethanave kërkojmë zbutjen e masës së sigurisë” replikoi avokati.
a.ç