TIRANË- I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë” në News24 Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, sqaroi projektligjin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për lojërat e fatit, ndryshimet në të cilin këtë herë kanë përfshirë edhe bastet sportive.
Në një konferencë për mediat, ku njoftoi vendimet e qeverisë Rama bëri të ditur ndryshimet në këtë ligj, ndërsa u shpreh se nga 1 janar i vitit të ardhshëm, asnjë qepen lokali që ka në të baste sportive apo kazino, nuk do të ngrihet.
Fillimisht Lera sqaroi nismën e ndërmarrë në vitin 2013 për të cilën tha se kishte për synim kufizimin e tyre, reduktimin e informalitetit dhe kontrollin e këtyre subjekteve.
“Në 2013 u organizua aksioni për mbylljen e lojërave të fatit të pa licencuara. U sulmuan ato lojëra fati që ishin informale. Një pjesë u mbyllën ndërsa pjesa tjetër që donin të ushtronin konform ligjit u formalizuan. Ajo që ndodhi në 2013, ishte formalizimi i lojërave të fatit. Strategjia e ndjekur në këto vite ka qenë kontrolli dhe kufizimi i tyre”, u shpreh Lera.
“Nga 2013 synimi ishte zbatimi rigoroz i ligjit. Me të drejtë mund të thoni pse numri i operatorëve u zvogëlua dhe u rrit numri i njësive apo i vendeve sekondare, por nëse shteti synon të formalizojë kompanitë, nuk mund të kufizojë një kompani informale të zgjerojë veprimtarinë e vet. Ndaj kompanitë që ndodhin rritën numrin e pikave të basteve”, – vijoi ndër të tjera Drejtori i Politikave Fiskale ne Ministrine e Financave, ndërsa theksoi se ky zgjerim i këtij biznesi krijoi probleme të tjera sociale, ndaj edhe del prioritare problemi social.
Duke u ndalur në efektet financiare që sjell mbyllja e kësaj industrie në vend Lera tha se formalizimi i tyre, rriti të ardhurat në buxhetin e shtetit, dhe me vendimin e fundit do të kemi një rikompozim të lojërave të fatit.
“Ne kemi llogaritur një efekt diku te 70-75% të të ardhurave që mbledhim nga lojërat e fatit, por kemi parashikuar edhe burimet që do të zëvendësojnë të ardhurat që ne do të humbasim”, tha Lera.
“Do të mbeten në tregun e lojërave të fatit, me këto dy ndryshime që janë deklaruar deri tani, Lotaria Kombëtare, Bingo Televizive dhe lojërat elektronike në struktura akomoduese të licencuara me 5 yje që kanë kazino, apo në resorte turistike. Sepse ka mundësi kontrolli të plotë”, deklaroi Lera.
Duke u ndalur në efektet sociale që do të sjellë ky ligj Lera sqaroi se janë rreth 4200 vende sekondare biznesi të këtyre tre kompanive që zhvillojnë aktivitet te bastet sportive.
“Një pjesë e madhe e tyre nuk janë ekskluzivisht pika bastesh, por janë edhe ‘bar bufe’ ku ka një vend të veçantë ku vendosen baste. Ne në të gjithë tregun e lojërave të fatit kemi 7280 të punësuar, një pjesë e tyre do të vazhdojnë të jenë të punësuar, sepse janë punësuar në lotarinë kombëtare, në bingon televizive etj. Kemi llogaritur me logjikën e të ardhurave që 65-70 % e këtij numri i përket kësaj kategorie të lojërave të fatit që nuk do të jetë më në treg. Nuk do të mbetet asnjë njeri pa punë, sepse, janë 4200 pika bastesh, por njëkohësisht janë edhe bar bufe, ai është i licencuar si bar bufe, pra nxjerr të ardhura. Pra në 4200 pika, pjesa kryesore kanë aktivitet kryesore lokalin, por edhe ato që janë thjesht pika bastesh, do të ristrukturohen”,tha Lera.
Referuar deklaratës së ministrit Ahmetaj në parlament se do të ketë një program rikualifikimi për ata që do të mbeten të papunë, Lera tha se jemi në një proces riformatimi të të gjithë sektorit, që përfshin jo vetëm lojërat e fatit, ndërsa garantoi se nuk ka për të ngelur asnjë dyqan, asnjë pikë bastesh i mbyllur, ato do të kthehen në biznese të tjera në shërbim të konsumatorit.
a.ç