Kombëtarja vijon përgatitjet për ndeshjen e së dielës në Beer Sheva, kundër Izraelit. Një përplasje zyrtare kjo, pas miqësores me Jordaninë në “Elbasan Arena”, në kuadrin e Ligës së Kombeve. Dhe ka zhvillime të paparashikueshme në kampin kuqezi.
Për shkak të problemeve fizike, konkretisht tërheqjeve muskulare të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë, futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi, për të vijuar me fazën riaftësuese në klubet e tyre. Trajneri Christian Panucci, ndërkohë, ka bërë menjëherë zëvendësimet e duhura.
Kështu, brenda ditës së sotme, kombëtares do t’i bashkohen në Durrës mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila do të luhet më 14 tetor, ora 20:45, në Beer Sheva.
Kombëtarja e Shqipërisë, sipas programit, sot ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, teksa do të ketë edhe një të dytë pasdite, por me dyer të mbyllura.
/b.d