Nga Elton Qyno
Prokuroria e Vlorës thotë se ka dokumentuar falsifikimin e një vendimi gjyqësor të vitit 1997, i cili ka shërbyer më pas për të regjistruar në hipotekë përmes një ndërhyrje tjetër, të një pasurie prej 100 hektarësh në“Grykën e Pashës” në Nartë.
Në vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj avokatit Pullumb Petritaj dhe ish-punonjëses së Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Blerina Dhrami (Brahimi), akuza pretendon se veç falsifikimit të vendimit gjyqësor, ka provuar edhe falsifikimin e regjistrit në hipotekë.
Prokuroria thotë po ashtu se Petritaj u angazhua edhe një shit-blerje fiktive me qëllim “fshehjen e origjinës së paligjshme” të pronës, ku ai si përfaqësues i familjes Seit Shehu, e cila përfitonte pronën ia shiste atë të bijës për 253 milionë lekë.
Një burim i prokurorisë i tha BIRN se ky është një rast tjetër i lidhur me Artur Shehun, një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Petritaj ka shërbyer në transaksione të tjera si përfaqësues i Shehut.
Avokatët mbrojtës të Petritajt dhe Dhramit nuk ishin të arritshëm deri para publikimit të këtij shkrimi. Të dy të akuzuarit për këtë çështje janë dënuar më herët, në 27 mars dhe 6 prill të këtij viti, për akuza të ngjashme.
Dhrami ishte pjesë e një grupi personash të cilët u gjetën fajtorë më 27 mars për tjetërsimin e 220 hektarëve tokë në Karaburun, 89 hektarëve në Zvërnec dhe 33 hektarëve në Palasë. Ajo u dënua me 6 vjet burg në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ndërsa çështja u apelua si nga prokuroria edhe nga mbrojtësit. Avokati i Dhramit tha atëherë për BIRN se ajo nuk duhej të mbante përgjegjësi pasi “Nuk është detyra e saj të verifikojë dokumentet që i dorëzohen”.
Ndërkohë Petritaj i cili fillimisht ishte pjesë e të hetuarve edhe për këtë çështje, u dënua më vonë në një rast të ngjashëm. Ai u gjet fajtor në Gjykatën e Shkallës së Parë për tjetërsimin e 150 hektarëve në Zvërnec, sëbashku me disa punonjës të hipotekës së Vlorës. Petritaj pretendoi pafajësi dhe akuzoi gjykatën, e cila në këtë rast dha dyfishin e dënimit të kërkuar nga prokuroria, se “Kishte interesa të tjera”. Në një bisedë tjetër me BIRN Petritaj ka mohuar akuzat ndaj tij si të qëllimshme.
Në vendimin për masë sigurie, të cilën BIRN e disponon, prokuroria thotë se pas dyshimeve kishte kryer verifikimet për pronën që ndodhej në bregdetin e Nartës, në vendin e quajtur “Gryka e Pashës”. Ajo thotë se nga praktika gjeti se prona ishte regjistruar nisur nga një vendim i gjykatës së Vlorës i dhjetorit 1997 me të cilin “i janë kthyer 100 ha pyll trashëgimtarëve të Seit Shehut”. Por sipas prokurorisë vendimi ishte falsifikuar.
“Nënshkrimet (firmat) poshtë rekuizitës “Gjyqtari” , që ndodhen në faqen e pasme të fletës nr.19, në faqen e pasme të fletës nr.23, në fletën nr 27, në faqen e pasme të fletës nr.29, si dhe në faqen e pasme të fletës nr 30 dokumente këto që ndodhen në dosjen gjyqësore me numër regjistri themelor 1210 data e regjistrimit 2 gusht 1997 dhe numri i vendimit 960, 29 dhjetor 1997 objekte ekspertimi nuk janë nënshkrime firma të gjyqtarit Q.B”, thuhet në vendimin e gjykatës për marrje mase sigurie.
Në të njëjtën shkresë thuhet se nga ekspertiza ishin zbuluar edhe falsifikime të tjera të bëra për qëllim tjetërsimin e kësaj prone. Sipas prokurorisë vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i 10 tetorit 1996, që referohej në vendimin e gjykatës, nuk ishte regjistruar “në arkivin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave në Tiranë, provuar kjo, nga ky institucion”.
Për më shumë prona që pretendohet se është në pronësi të Seit Shehut, sipas prokurorisë del nën një emër tjetër shoqëruar me vendime të tjera të lidhura me këtë person të dytë.
Prokuroria thotë se edhe një marrëveshje noteriale mes Petritajt dhe së bijës, në të cilën i pari përfaqëson pronarët dhe e dyta blerësin, është bërë me qëllim fshehjen e origjinës së kësaj prone. Aty thuhej se toka u shit për 253 milionë dhe se paratë u paguan jashtë zyrës noteriale, por sipas prokurorisë veprimi është fiktiv.
Ndërkohë ndaj Dhramit ka sërish akuza për falsifikim dhe shpërdorim detyre. Ajo akuzohet se ka ndërhyrë në regjistrin e hipotekës në Vlorë. Prokuroria thotë se nga ekspertiza del që fleta me të cilën është regjistruar kjo pronë në ZVRPP-në e Vlorës është e ndryshme nga fletët e tjera në të njëjtin regjistër.
/BIRN