Nehat Kulla i drejtohet Gjykatës së Krujës, duke i kërkuar heqjen dorë nga kërkesa e mëparshme për lirim nga burgu.
“Meqenëse nga konsultimet me klientin tim, i cili më ka caktuar në këtë detyrë, kemi rënë dakort, kërkojmë që të heqim dorë nga kërkesa me objekt Lirirm nga Burgu (qëndrim në shtëpi), pasi mendojmë se interesat tona do ti vlerësojmë në një moment të dytë”,thuhet në kërkesën që mbrojtja i ka dërguar Gjykatës së Krujës.
Nehat Kulla u arrestua në vitin 2005 pas dënimit me 20 vite burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shofer i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Ai u dënua edhe për armëmbajtje pa leje.
I ashtuquajturi ‘Gjenerali’ ka depozituar më 29 qershor të 2018-ës një kërkesë ku kërkon lirimin për sjellje të mirë dhe për shkak të problemeve me shëndetin. Kulla ka përfituar 5 vjet ulje dënimi gjatë 14 viteve të fundit dhe tashmë i ka mbetur më pak se 1 vit burg për kryer. Por, tashmë është tërhequr nga kërkesa dhe me sa duket do të presë përfundimin e dënimit për të qenë i lirë.
Banda e Nehat Kullës
Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998.
Aktiviteti i bandës
Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nofka “Gjenerali”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
a.ç