Të gjitha bastet sportive do të mbyllen nga 1 Janari i vitit 2019.
“Sipas ligjit, duke nisur nga 31 Dhjetori do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin dhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë me kuaj, qenë apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare”.
Mbyllja e basteve sportive është edhe risia në ligjin për lojërat e fatit, të amenduar nga qeveria. Ndërsa kazinotë elektronike, ashtu siç parashikon ligji aktual, do të zhvendosen në hotelet me 5 yje.
“Ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do të ngrihet më asnjë qepen i kazinove elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror tokë të Republikës së Shqipërisë”.
Me këtë ndryshim, ekzekutivi synon t’i japë fund këtij aktiviteti, 5 vjet pas operacionit “Fundi i Marrëzisë”, i cili jo vetëm nuk e goditi fenomenin, por rezultoi me shtimin e pikave të basteve sportive.
Ligji që pasoi operacionin e bujshëm, siç pohoi kryeministri në vitin 2016, e kishte përplasur me aleatin në qeveri, Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi ata nuk e mbështesnin propozimin e tij për të mbyllur të gjitha bizneset që kishin lidhje me bixhozin. Ai e risolli këtë fakt edhe këtë të martë në vëmendje, kur saktësoi se ndryshimet preknin edhe një pjesë të Llotarisë Kombëtare.
“Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin për ligjin ekzistues me metodat që e çan koalicionin qeverisës, kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti ‘marrëzie kombëtare’, sqaroj se Llotaria Kombëtare nuk do të ketë asnjë element të kazinove elektronike”.
Kryeministri tha gjithashtu se punohet për një regjim te ri të licencimit dhe kontrollit të basteve sportive nëpërmjet internetit dhe paralajmëroi dhe të gjitha mediat që të marrin masat që brenda 24 orëve të heqin nga trasmetimi çdo lloj reklame që kanë të bëjnë me kompanitë e basteve.
Ligji i lojërave të fatit duhet të kishte hyrë në fuqi nga Janari i vitit 2017, por ishin vetë socialistët që kërkuan shtyrjen e tij me argumentin se mungonin aktet nënligjore. Mbetet për t’u parë nëse ajo e vitit 2017 ishte shtyrja e fundit.
a.ç