Pas një starti fantastik Bayern Munchen ka humbur busullën. Bavarezët pësuan humbjen e dytë radhazi në Bundesliga duke u mposhtur në “Allianz Arena” nga Borussia Monchengladbach 0-3 .
Kjo ishte ndeshja e katërt pa fitore për kampionët e Gjermanisë në të gjitha kompeticionet, me trajnerin Niko Kovac që rrezikon stolin.
Kroati duket sikur ka kundër edhe disa lojtarë të skuadrës, teksa i pari që e kritikoi ishte mesfushori James Rodríguez, duke i kujtuar se te drejtosh Bayern nuk është e lehtë.
Me këtë disfatë Bayern rrëshket në vend të pestë në klasifikim, me katër pikë më pak se Dortmund në krye.
Monchengladbach e nisi mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh pas 10’ minutash lojë me anë të Plea.
Hofmann pason bukur për sulmuesin, i cili nga hyrja e zonës me një gjuajte të fortë mposhti portierin. 6’ minuta më vonë miqtë shënuan edhe golin e dytë me anë të Stindl, i cili pas një veprimi shumë të bukur duke shmangur dy prej kundërshtarëve mposhti portierin Neuer duke shkuar në dhomat e zhveshjes në avantazh të dyfishtë.
Pjesa e dytë nisi me tre zëvendësime për vendasit, me Kovac që aktivizoi Ribery për Robben, Gnabry për Muller dhe Sanches për Alaba.
Pavarësisht ndryshimeve bavarezët vujanë shumë përballë një kundërshtari që mbrohet mirë.
Edhe pse kontrollojnë lojën vendasit e kanë tepër të vështirë të futen në zonën e kundërshtarit që dy minuta përpara fundit i dha edhe goditjen e nokautit bavarezëve.
Pas dy asistesh Herrmann realizoi vetë duke shënuar një gol të shkëlqyer nga hyrja e zonës pas ekzekutimit të një goditjeje këndi.