Narkotrafiku/ Basha: Rama mbulon të vërtetën, të bëjë testin ndaj drogës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në takimin “Antidroga, një histori suksesi”, ku Policia e Shtetit publikoi rezultatet në luftën kundër narkotrafikut.
“Qindra oficerë policie janë thirrur me dhunë në kazermën mediatike të Ramës, ndërsa trafikantët vazhdonin aktivitetin e tyre, plantacionet e drogës shtohen, parcelat që ruhen me armë në krahë nga ‘habilajt’ dhe ‘shullazët’ e Tahirit”, tha Basha.
“Bbilanci i vërtetë i gjithë asaj shfaqje janë qindra-mijëra euro të taksapagusve shqiptarë që u çuan dëm për propagandë, ndërkohë që Edi Rama shkumëzonte dhe djersiste kundër opozitës dhe medias që i ka nxjerrë në shesh të palarat dhe lidhjet e kësaj Qeverie me krimin dhe narkotrafikun”, tha më tej Basha.
Duke marrë nën mbrojtje qeverinë e mëparshme demokrate, Basha solli në vëmendje disa raporte ndërkombëtare për vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, ku sipas tij, Shqipëria vlerësohej për luftën kundër trafikut të drogës dhe ishte hequr nga lista e vendeve tranzit të saj.
Kreu i opozitës theksoi se kjo qeveri “ka caktuar narkotrafikantët në administratë, në Parlament, kryetarë bashkie. Emblema e Ramës janë roshët, bushët, bardhët, ndonët, peçët e të tjerë. Trafikantë të dënuar apo të ndjekur që administrojën sot territore me pushtetin që u dha Edi Rama”.
Në fund Basha duke folur edhe për ligjin ndaj dekriminalizimit, i kërkoi Ramës që “të nisë dekriminalizimi nga testi i drogës për ty dhe ministrit tënd”.