FBI do të zbarkojë në Tiranë javën e ardhshme për bashkëpunuar me Policinë e Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo u theksua nga ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Donald Lu në konferencën e organizuar në lidhje me rezultatet e luftës ndaj drogës.
Në fjalën e tij, ambasadori Lu u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-SHBA, javën e ardhshme një agjent i FBI-së do të vijë në Tiranë për të punuar me policinë shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar.
Kryediplomati amerikan nënvizoi se palët politike duhet të lënë mënjanë akuzat ndaj njëra-tjetrës dhe të fokusohet në luftën ndaj krimit dhe trafikut.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht luftën kundër krimit të organizuar. Sapo kemi caktuar një Prokuror për të pununar me Prokurorinë shqiptare. Një agjent i FBI-së do të vijë javën që vjen që të punojë me Policinë shqiptare. Si mazhoranca ashtu edhe opozita e kanë kritikuar njëra-tjetrën për lidhje me krimin. Lufta ndaj krimit duhet të ngrihet mbi sherret politike. Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e SHBA në këtë luftë historike.” theksoi në fjalën e tij ambasadori Lu