Nga Besar Likmeta
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të mërkurën seancën dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Korçë Sotiraq Lubonja, si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut.
Gjyqtari Lubonja është prej 15 vitesh anëtar i Gjykatës së Apelit të Korçës. Ai është pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të pozicionit të tij si anëtar zëvendësues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Trupa gjykuese në proces përbëhej nga Suela Zhegu si kryesuese, Brunilda Bekteshi anëtare dhe Valbona Sanxhaktari si relatore.
Komisioni e ka kryer procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Lubonja në bazë të tre kritereve të vetingut, ku përfshihet pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi. Në këtë kontekst, KPK ka administruar raportet mbi gjyqtarin nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Sipas ILDKPKI subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë, ka fshehje pasurie, ka bërë deklarim të rremë dhe mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Përtej raportit të ILDKPKI, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur administrativ mbi pasurinë e gjyqtarit Lubonja.
Sipas KPK subjekti ka deklaruar një shtëpi me sipërfaqe ndërtimi 61 m2 në Korçë, me vlerë 2.5 milionë lekë dhe burim të ardhurat nga paga dhe kursimet. Sipas KPK-së për këtë pasuri ka mospërputhje midis deklaratës periodike të bërë në vitin 2003 nga gjyqtari në ILDKPKI dhe dokumenteve të siguruara nga komisioni për sa i përket sipërfaqes së ndërtesës.
Relatorja Valbona Sanxhaktari, deklaroi gjatë seancës dëgjimore se gjyqtari kishte dështuar të deklaronte shtesa pa leje në sipërfaqe ndërtimi që shkonin deri në 78 m2 për kat. Vlera e ndërtimit e kësaj ndërtese sipas KPK-së ishte 6.37 milionë lekë dhe jo 2.5 milionë lekë siç ka deklaruar subjekti. Sanxhkatari nënvizoi se subjekti nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme nga viti 1985 deri në vitin 2002, për të justifikuar koston e ndërtimit të shtëpisë dhe i ka kaluar barrën e provës gjyqtarit.
Relatorja nënvizoi gjithashtu gjatë seancës se subjekti ka deklaruar gati 4 milionë lekë dhurata nga e ëma e ndjerë gjatë periudhës që ajo ka qenë pensioniste, për të cilat kjo e fundit nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Gjithashtu, në vitin 2005 vjehrri me banim në SHBA, ka bërë një depozitë në emër të bashkëshortes së subjektit me vlerë 25,000 USD. Vjehrri, në vite të ndryshme ka bërë dhurata ndaj djemve të subjektit me vlerë 11,000 euro dhe 5000 USD. Ai gjithashtu i ka dhuruar çiftit Lubonja pensionin e tij në Shqipëri në vitin 2015 dhe 2017 me vlerë 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.
Sipas KPK-se gjyqtari Lubonja dhe familja e tij kanë ndërmarrë udhëtime të shpeshta në SHBA, të cilat janë vlerësuar me një kosto prej 3.7 milionë lekë dhe sipas gjyqtarit janë paguar nga vjehrri dhe kunati. Gjithashtu KPK ka mësuar se djemtë e gjyqtarit gjatë këtij viti kanë porositur një apartament 3+1 dhe garazh në Tiranë, me vlerë 79 mijë euro, plus 5 mijë euro për garazhin. Kjo porosi është akoma në proces vlerësimi nga Komisioni.
Sipas raportit të DSIK gjyqtari Sotiraq Lubonja është vlerësuar si i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sipas KPK-së gjithashtu është vlerësuar se ka aftësi profesionale të mjaftueshme. Kundër gjyqtarit në KPK kanë arritur 6 denoncime, të cilat po shqyrtohen nga trupa gjykuese.
Në fjalën e tij përpara Komisionit gjyqtari Lubonja u justifikua për dhuratat në vlerë të lartë të marra nga e ëma e ndjerë, duke u shprehur se ato ishin kursimet familjare ndër vite.
“Nëna administronte pasurinë e shtëpisë. Këto para janë kursime nga paga ime dhe e bashkëshortes,” tha ai.
Më tej Lubonja shtoi se të gjithë të ardhurat e familjes së tij vinin nga paga e marrë që nga viti 1985 dhe se vetëm nga viti 2001 të ardhurat e tij kapnin një shumë më të madhe se “200 milion lekë [të vjetra.]”
Ai gjithashtu kontestoi vlerësimin e KPK-së për vlerën e shtëpisë të ndërtuar në Korçë, ndërkohë që nënvizoi se kjo ndërtesë nuk ishte ndërtim pa leje në kuptim të ligjit.
“Ju kam sjellë një foto të bashkëshortes, ku mbrapa duken 5 mijë tulla që i kam blerë në vitin 1991 për 1 lek,” tha gjyqtari, duke argumentuar se vlera e ndërtimit të shtëpisë nuk përputhej me vlerësimin e bazuar në kostot e Entit të Banesave.
Gjyqtari Lubonja gjithashtu shtoi se vlerësimi i KPK-së për koston e udhëtimeve të tij në SHBA nuk ishte real.
“Me 100 USD në Amerikë ha bukë sa të duash,” tha ai.
Në fund të seancës ai i kërkoi trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.
“Kërkoj vazhdimin e detyrës për shkak të përkushtimit nga viti 1985,” tha Lubonja. Vendimi për të ardhmen e karrierës së gjyqtarit do të jepet më datë 8 tetor, ora 10:00.
/BIRN