Ministrja Harito: Pse mbaj kufje kur flet Berisha në Parlament
Ka ndezur një debat fakti që ministrja për Inovacionin, Milena Harito, u shfaq në seancën e fundit me kufje në vesh. Në një intervistë për GSH, ajo tregon se përse i mban ato.
“Është një zgjedhje e imponuar dhe aspak e dëshiruar prej meje. E imponuar nga një person, i cili ka 25 vjet që mban peng fatet e këtij vendi dhe që pa pranuar asnjë përgjegjësi nga ato shumë që ka në kurriz për gjendjen katastrofike ku e çoi vendin, vazhdon të dhunojë verbalisht parlamentin. Një njeri, i cili uzurpon për 30-40 minuta foltoren e Kuvendit, duke lëshuar nga goja lumenj gënjeshtrash, mashtrimesh, fyerjesh, epitetesh ordinere për kolegët deputetë e të tjera si këto. Po sigurisht që nuk dëgjoj muzikë siç është aluduar, edhe pse me aq sa bërtet ai nuk do kishte muzikë që të mbyste zhurmën. Mund të them se në botën virtuale ka shumë gjëra të rëndësishme, studime të nevojshme shkencore apo materiale të tjera që ofrohen në formën audio dhe që sigurisht janë më të domosdoshme për mua se fjalimet e Berishës”, thotë Harito