Kancelarja gjermane Angela Merkel është shumë e respektuar ndërkombëtarisht; një sondazh i ri i botuar të hënën e vendos atë si udhëheqësen më të njohur në shkallë botërore, por në vendin e saj “Zonja e Hekurt” e politikës gjermane është gjithnjë e më shumë e shqetësuar dhe përkrahësit e saj më besnikë nuk janë të bindur se ajo do të jetë në gjendje për ta çuar deri në fund mandatin e saj të plotë zgjedhor, që përfundon në vitin 2021.
Që nga shfaqja e dobët e partisë së saj të kristian-demokrate në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, ajo ka kaluar nga një krizë në tjetrën.
Muajin e kaluar, ajo humbi simpatizantin e saj të rëndësishëm parlamentar, Volker Kauder, kreun e Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) dhe të partisë bavareze Kristian Socialiste (CSU), në Bundestagun gjerman. Kjo bëri që gazeta më e shitur e Gjermanisë, Bild, të shtronte pyetjen: “A mund të jetë Merkel ende kancelare?”
Ligjvënësit e pakënaqur të CDU-së zëvendësuan Volker Kauderin me Ralph Brinkhaus, anëtar i një fraksioni të fuqishëm brenda partisë, i cili është i pakënaqur me politikat e qendrës, me politikat pro Bashkimit Evropian të zonjës Merkel dhe dëshiron të zhvendoset drejt qendrës, për të kundërshtuar alternativën e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, ose AfD. AfD po kandidon për herë të dytë dhe ndodhet përpara Social Demokratëve të majtë në sondazhet e opinionit.
Këtë javë zonja Merkel shpreson të zgjidhë krizën më të fundit me një marrëveshje shumë komplekse kompromisi. Marrëveshja, që do të njoftohet të martën, është kulmi i një grindjeje të gjatë mbi fatin e pronarëve të automobilave gjermanë, automjetet e të cilëve u pajisën nga prodhuesit gjermanë të automobilëve me softuer manipulues, që maskonin nivelet e tyre të larta të ndotjes.
Gjykatat gjermane hapën rrugën për fillimin e zbatimit të masës së ndalimit të ngarjes në qytet për makinat me naftë. Sfida kryesore politike për kancelaren Merkel me të ashtuquajturin skandalin Dieselgate ka qenë si të zvogëlohet ndotja pa cënuar interesat e fuqishme, pronarët e makinave, apo industrinë e automobilëve. Në qendër të negociatave, ka qenë çështja, nëse industria do të angazhohej për të përballuar kostot e plota për riparimin, ose zëvendësimin e makinave të vjetra, ose në se konsumatorët do të duhet të mbanin përsipër disa nga këto shpenzimet.
Zonja Merkel nuk është ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje nga fraksionet rivale brenda qeverisë së saj të koalicionit, që përfshin socialdemokratët e majtë, ose SPD. Pasojat nga marrëveshja, thonë analistët, mund të ndikojnë në zgjedhjet rajonale këtë muaj në shtetet e Bavarisë dhe Hesse. Partitë kristian-demokrate lokale pritet të dalin keq në zgjedhje, dhe kjo do të jetë vendimtare për perspektivat e ardhshme të kancelares Merkel, e jo pastaj për partinë e saj. Me pengesat që po ndesh, kancelarja Merkel është duke u parë brenda partisë së saj, si një udhëheqëse e dobët.
Javën e kaluar, komisioneri evropian i buxhetit Günther Oettinger, një kristiandemokrat i njohur, tha se ndikimi i saj politik po pakësohet shpejt. Dështimi politik i zonjës Merkel është parashikuar shumë herë, sidomos në kulmin e reagimit publik në vitin 2015, lidhur me politikën e saj të emigracionit me dyer të hapura. Kjo politikë kontribuoi shumë, thonë anketuesit, për rënien e rezultateve të partisë së saj në zgjedhjet e shtatorit.
Andreë Bulkeley, redaktor për “Handelsblatt Global” me qendër në Berlin, vuri në dukje kohët e fundit, se mediat e kanë parashikuar fundin e Merkelit pothuajse që nga dita që ajo mori detyrën. Analisti Bulkey argumenton se aftësia politike e zonjës Merkel gjithmonë ka qenë e bazuar në sukses, por tani duket se gjithnjë e më shumë ky sukses ka qenë me dhimbje, apo sukses kompromisi.
Por sfidat dhe kompleksitetit me të cilin ajo përballet në sigurimin e kompromiseve brenda aleancës së saj qeverisëse, janë të një niveli tjetër të ndryshëm, thonë vëzhguesit e tjerë. Javë pas jave, qeverisja e saj 13-vjeçar duket e rrezikuar.
Në qershor, ministri i Brendshëm Horst Seehofer, anëtar i CSU, partneri më i vogël në qeverinë e koalicionit, e sfidoi autoritetin e saj, duke kërcënuar mbylljen e kufijve të Gjermanisë për emigrantët dhe urdhërimin e policisë për të kthyer azilkërkuesit, nëse kancelarja Merkel nuk siguronte një marrëveshje më të gjerë të BE-së për shpërndarjen e emigrantëve në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet e grupit.
Muajin e kaluar, zonja Merkel, kërkoi falje publike, diçka tepër e rrallë, lidhur me trajtimin e një grindjeje që përfshinte ish shefin e inteligjencës Hans-Georg Maassen, i cili vuri në dyshim origjinalitetin e pamjeve që tregonin simpatizantë të ekstremit të djathtë që ndiqnin emigrantët në qytetin lindor të Chemnitzit.
Të martën, koalicioni i Merkelit u trondit nga zbulimi se eksporti i armëve gjermane në Arabinë Saudite ishte dyfishuar, pavarësisht nga një zotim që ajo bëri për të mos lejuar furnizimin me armë për luftën në Jemen.
Ligjvënësit e Social Demokratëve thonë se shitjet e armëve prej 250 milionë dollarësh në gjashtë muajt që nga marsi, nuk mund të bëhen shkak për prishjen e koalicionit dhe zonja Merkel pranoi që t’i bashkoheshin aleancës së saj qeverisëse, përgatiti ”VoA”. (b.an)