Prokuroria i kërkon Gjykatës së Lartë mbajtjen në burg të deputetit Armando Prenga. Në kërkesën e zbardhur të organit të Akuzës drejtuar Gjykatës për arrestimin e deputetit Prenga, pas konfliktit të Lacit që shkaktoi 7 të plagosur, thuhet se i dyshuari mund të kryejë krime të tjera për shkak të konfliktit mes familjeve Prenga-Cali.
“I dyshuari mund të kryejë krime të tjera për shkak të konfliktit mes dy familjeve. Masa më e përshtatshme vlerësohet ajo e “arrestit në burg”, duke marrë në konsideratë rëndësinë e faktit, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprave dhe të personit, duke qenë se ato janë kryer në bashkëpunim”. thuhet në kërkesën e Prokurorisë
Me këtë argument Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Gjykatës së Lartë mbajtjen ne qeli te deputetit Armando Prenga.
Arsyet e kësaj mase shtrënguese lidhen me disa elemente të hetimit që është në vazhdimësi, por edhe me rrezikshmërinë e veprës penale dhe autorit të dyshuar për kryerjen e saj, që në këtë rast është deputeti.
Gjithashtu, prokuroria argumenton se Prenga mund të rrezikojë marrjen e provave për llogari të hetimit, si dhe gjetjen e armëve të krimit, të cilat nuk janë gjetur ende nga policia.