Në kushtet kur opozita ka bojkotuar Kuvendin, mazhoranca ka vendosur të mos e presë pafundësisht për reformën zgjedhore dhe po përgatitet të dorëzojë draftin e saj unilateral.
“Opozita ka bojkotuar Kuvendin, nuk vjen në Komision, ndaj dhe ne do te paraqesim draftin tone shume shpejt dhe do t’ia dorëzojë atë të gjithë aktorëve”, u shpreh Bledi Çuçi.
Për hartimin e draftit, mazhoranca ka pajtuar si ekspert Viktor Gumin, ish-deputet dhe ish-ministër demokrat. Bledi Çuçi tregon se drafti do të përmbajë vetëm adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Drafti me rekomandimet e OSBE/ODIHR, shpresojmë PD te kthehet por ne kemi përgjegjësi para shqiptarëve.
Është edhe tjetër përgjegjësi, ajo para ndërkombëtarëve, që e ka shtyrë mazhorancën të ndërmarrë një hap të tillë, duke qenë e ndërgjegjshme se nuk i ka votat për ta ndryshuar e vetme Kodin Zgjedhor. Burime të nivelit të lartë pranë mazhorancës socialiste i thanë Top Channel se synimi i PS-së është që t’i tregojë Brukselit vullnetin për t’i adresuar shqetësimet që lidhen me zgjedhjet, në kushtet kur ato përbëjnë edhe një nga kushtet e Këshillit Europian për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë, qershorin e ardhshëm.
Pas Çuçit reagoi përmes medieve sociale edhe bashkëkryetari tjetër i reformës zgjedhore, demokrati Oerd Bylykbashi. Pa përmendur bojkotin parlamentar të opozitës, ai replikoi me ironi deklaratën e homologut të tij socialist.
“PS e paska gjetur konsensusin per reformën zgjedhore. PS deklaron sot se do të bëjë propozimet e saj të njëanshme për Kodin Zgjedhor. Arsyeja është shumë e thjeshte: po sot, nën pranga per dhunimin e një vajze të pafajshme, i biri i Rrahman Rrahjes kërcënon opozitën: Do ta shihni ne zgjedhje. Zëdhënës dhe provë më të mirë të paktit të PS me krimin për të dhunuar zgjedhjet nuk ka! Kjo është reforma që propozon PS!”, shkruan ai.
PS ka njoftuar në fillim të shtatorit se ka vendosur të pranojë kërkesat e opozitës për pilotimin e përdorimit të elektronikës në zgjedhje. Por demokratët kanë shpallur si emergjencë kombëtare lidhjet e politikës me krimin dhe kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë reforme nëse mazhoranca nuk pranon nismën e opozitës për vettingun e politikanëve.
ma.me