Në vitin 2015 familjet në 5 qarqe të vendit konsumonin mbi mesataren e vendit, ndërsa në vitin 2017 vetëm familjet e vetëm 2 qarqeve, Tiranës dhe Durrësit konsumojnë mbi mesataren e vendit, teksa 10 qarqe te tjera konsumojnë nën mesatare, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave.
Suksesi i një qeverisje të mirë ilustrohet me ngushtimin e pabarazisë ndërmjet rajoneve dhe shtresave të shoqërisë. Sa më i ngushtë hendeku tregon se politikat qeverisës janë të njehsuara si nga përkatësia gjeografike dhe shoqërore, në të kundërt zhbalancimi tregon qeverisje jo te baraspeshuar për te gjithë.
Duke matur strukturën e konsumit të familjeve shqiptare INSTAT gjeti se vetëm Tirana dhe Durrësi në vitin 2017 kishin të ardhura më të larta se mesatarja e vendit, ndërsa të 7 qarqet e tjera , Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Berati, Kukësi, Gjirokastra, Vlora, Elbasani dhe Dibra kishin të ardhura për frymë nën mesataren e kombëtare, e cila në vitin 2017 ishte 73.000 lekë në muaj për familje.
Kjo tregon se shpenzimet mujore të familjeve që jetojnë në Durrës dhe në Tiranë janë rritur me ritme shumë të larta se shpenzimet në qarqet e tjera të cilat kanë pësuar ulje në shumicën e qarqeve.
Siç shikohet nga të dhënat e INSTAT duket se një nga qarqet më të mëdha të vendit, Elbasani është zhytur ne varfëri. Shpenzimet për familje në Elbasan ishin vetëm 57.831 lekë më 2017 ose mbi 21 për qind më të ulëta se mesatarja kombëtare. Elbasani dhe Dibra u evidentuan si qarqet me konsumin më të ulët të familjeve në raport me mesataren e vendit.
Familjet në Tiranë kishin konsum mujor 19 për qind më të lartë se mesatarja e vendit në vitin 2017, ndërsa në vitin 2015 ky tregues kishte një diferencë 15%.
Ka disa ndryshime interesante në ndryshimin e shpenzimeve sipas qarqeve. Në vitin 2017 një familje në qarkun e Tiranës shpenzoi për konsum mesatarisht 87.968 lekë në muaj.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Durrësi me 76.129 lekë dhe Shkodra, me 73.306 lekë në muaj. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 47.467 dhe i Elbasanit, me 57.831 lekë në muaj. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Gjirokastrës me 9,1 %, ndjekur nga qarku i Beratit me 8,9 %. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Dibra me 24,9 %.
Ndërsa në vitin 2016 qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në qarkun e Tiranës shpenzoi për konsum mesatarisht 85.344 lekë në muaj. Qarqet me shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas qarkut të Tiranës, ishin Durrësi dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore për konsum përkatësisht 77.933 dhe 75.503 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum ishin qarku i Gjirokastrës dhe i Elbasanit përkatësisht me 57.068 dhe 57.290 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Vlorës me 15,0 % ndjekur nga qarku i Dibrës me 12,4 %. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Gjirokastra me 23,9 %.(Monitor)