Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi sot se brenda këtij viti do të nisë puna për ta kthyer piramidën në një shkollë inovatore, që do të zhvillojë kulturën dixhitale.
Veliaj: Piramida e Tiranës do të jetë një tjetër hapësirë për ata që do të merren me teknologjinë e informacionit dhe duan që këto sisteme të hapura të popullarizohen, sidomos tek të rinjtë; do jetë një hapësirë ideale. Punën për transformimin e Piramidës do ta nisim nga fundi i këtij viti dhe vitin tjetër besoj do të kemi një hapësirë, siç janë këto programe të hapura, edhe një hapësirë me mendje të hapur.
Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që kultura dixhitale të zhvillohet edhe nëpërmjet programeve të mirëfillta shkollore.
Veliaj: Është shumë e rëndësishme për që në programet e shkollave të fusim këto koncepte të dijes së hapur dhe besoj se fillimi i mbarë dhe vendosja e Tiranës me këtë reputacion, na jep shumë kurajë për të ecur më tej. Dua të falenderoj të gjithë aktivistët e qytetit tonë, të cilët kanë investuar te kjo teknologji sepse besoj që kur bashkia, qytetarët, aktivistët, programuesit, janë me mentalitetin e krijimit të një shoqërie, qyteti apo edhe të një bote kompjuterike të hapur, mund të kemi një qytet që është më dinjitoz dhe më i aksesueshëm nga të gjithë.
Deklaratat Veliaj i bëri në mbyllje të edicionit të 8-të të LiboCon, konferencës ndërkombëtare vjetore të platformës teknologjike open source LibreOffice, ku morën pjesë më shumë se 250 përfaqësues nga e gjithë bota, anëtarë të komunitetit të programuesve dhe zhvillimit të platformave kompjuterike.
Ai u shpreh se Tirana ka arritur që të shfrytëzojë më së miri teknologjinë në lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga qytetarët, ndërsa shumë shpejt do të kthehet në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit te teknologjisë nga kodimi dhe software disign deri në shumë prej proceseve të tjera.
a.çpir