Një hetim i policisë së Sussex në Britaninë e Madhe, për një rrjet trafiku të kokainë në Brighton dhe Hove çoi në dënimin me 67 vjet burg në total të 5 personave.
Dënimi për Leonard Agën, Ilir Vakajn, Hysni Tafën, Ilir Hasanaj dhe Kujedesi Pistën, të gjithë shqiptarë, u dha më 27 Shtator nga gjykata e Hove. Shqiptarët akuzoheshin për trafik droge dhe pastrim parash dhe ishin drejtuesit e një grupi që kishte trafikuar më shumë se 120 kilogramë kokainë në qytet.
Hetuesit në Sussex zhvilluan një hetim 2-vjeçar për këtë grup të organizuar kriminal që përdorte linja telefoni jashtë zonave të mëdha urbane për të shitur drogën.
Kjo teknikë (në anglisht e quajtur County line) operohet nga individë apo grupe të cilët përdorin linjat telefonike për të zgjeruar biznesin e tyre të drogës në zona të reja, larg vendit ku banojnë, zakonisht në zona urbane shpesh të orientuara drejte lidhjeve të mira të transportit publik.
Gjykatësi David Rennie e përshkruajti secilin prej anëtarëve të kësaj bande si drejtues, pasi secili blinte dhe drejtonte shitjen e kokainës në shkallë tregtari.
Një zëdhënës i policisë tha se shqiptari Leonard Aga, 35-vjeç, i vetëpunësuar dhe me banim në Essex pranoi akuzat e shpërndarjes së kokainës, pastrimit të parave, posedim kokaine dhe dokumente identiteti false. Ai u dënua me 10 vjet burg dhe u cilësua nga autoritetet si personi me rol domethënës në këtë rrjet kriminal.
Ndërkohë 35-vjeçari Ilir Vakaj, u dënua me 16 vjet burg, Ilir Hasanaj, 31-vjeç, u dënua me 17 vjet. 46-vjeçari Hysni Tafa, me profesion ndërtues dhe Kujedesi Pista, 36-vjeç u dënuan të dy me nga 12 vjet burg.
Teksa dha dënimet për shqiptarët gjykatësi Rennie tha: “Ajo që qëndron në zemër të kësaj çështjeje gjyqësore është një grup i organizuar kriminal i drejtuar nga ju, shqiptarët. Ky ishte një grup i disiplinuar, i mirë organizuar dhe i sofistikuar kriminal. Veprimet tuaja ishin të turpshme dhe tregtia e neveritshme. Shumë jetë të rinjsh u shkatërruan vetëm që anëtarët e grupit tuaj kriminal të mund të lulëzonte. Fatkeqësisht për ju, tërhoqët vëmendjen e një grupi detektivësh të cilët gjithashtu ishin të mirë disiplinuar, të organizuar dhe të sofistikuar. Në këtë rast policia fitoi dhe ju humbët. Ju do të shkoni të gjithë në burg për një periudhë të konsiderueshme kohe”.
Policia tha gjithashtu se 19 anëtarë të tjerë të një rangu më të ulët, roli i të cilëve ishte që të shpërndanin drogë në rrugë, u dënuan më herët me mbi 5 vjet e gjysmë burg.
Hetuesit shpjeguan gjithashtu se fillimisht kur nisën hetimet për grupin shqiptar besohej se ata kishin kontaktuar me 319,465 linja të drogës. Këto kontakte përfaqësonin përafërsisht 6,397 klientë të ndryshëm në zonën e Brighton dhe Hove, e barazvlefshme me 155,838 shitje kokaine. Gjatë periudhës që ishin nën hetim, grupi përllogaritet se kishte shitur 106-165 kilogramë kokainë, vlera e së cilës shkonte mbi 6.5 milion paund.