Që prej të hënës në mbrëmje në malin Serra, që ndan provincat e Pisës dhe Lucca-s në Toscana të Italisë, ka rënë një zjarr masiv.
Zona më e prekur, sipas mediave fqinje është ajo e Calci, në provincën e Pisës, ku kryebashkiaku Massimiliano Chimenti ka urdhëruar evakuimin e rreth 500 personave.
Alarmi u dha mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00.
Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke u afruar deri në zonat e Montemagno, San Lorenzo dhe La Torre.
Në përpjekje për të shuar flakët, në zonë ndodhen forca të shumta zjarrfikëse dhe disa skuadra vullnetarësh.
Mediat italiane shkruajnë se autoritetet vendore kanë kërkuar ndihmën e forcave zjarrfikëse të qyteteve të tjera si Livorno, Pistoia, Lucca, Massa, Firenze dhe Arezzo.
Ugo D’Anna, komandant i Forcave zjarrfikëse të Pisës tha se “zjarri ishte përhapur shumë në një zonë të gjerë dhe se ishte shumë i fuqishëm”. Gjatë natës, tha D’Anna, të paktën dy ekipe zjarrfikëse kishin rrezikuar jetën.
Për të strehuar personat e evakuuar, autoritetet kanë hapur palestrën dhe komunën në Calci.
Ata shprehen të shqetësuar se mund të përsëritet tragjedia e pak kohëve më parë në Greqi, ku flakët u morën jetën të paktën 90 personave./a.ç