Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, e ka quajtur të turpshëm vendimin e presidentit, Gjorge Ivanov për të mos votuar në referendumin më 30 shtator. Dimitrov ka akuzuar presidentin se me qasje të tillë po tenton të mbrojë, siç tha, krimet e pushtetit të kaluar.
Presidenti Ivanov, sipas tij Dimitrovit, me asnjë veprim nuk ka respektuar Kushtetutën, përkundrazi e ka shkelur atë me vendimin për të mos e dekretuar marrëveshjen për emrin, pas votimit të dytë në Kuvend. Shefi i diplomacisë tha Ivanov ka shkelur Kushtetutën edhe në rastin kur mbrojti zyrtarët e lartë të akuzuar për keqpërdorime të shumta, duke i liruar nga ndjekja penale. Dimitrov tha se ata që rrinë në shtëpi ditën e votimit, nuk mund të ndikojnë në rezultatin e referendumit.
“Të thuash për këtë çështje për të cilën kemi humbur shumë gjenerata, 27 vjet kontest të pazgjidhur, se nuk do të votosh, është vërtetë e turpshme ikje nga përgjegjësia. Nuk mundet të rrini në shtëpi dhe të tentoni të ndikoni në rezultatin e referendumit. Për këtë do të vendosin vetëm se ata që dalin të votojnë”, tha Dimitrov duke shtuar se pa marrëveshjen me Greqinë, rrugët e Maqedonisë për në NATO dhe Bashkimin Evropian do të mbeten përgjithmonë të mbyllura.
“Rruga drejt NATO-s dhe BE-së ku bën pjesë edhe Greqia, çon vetëm përmes zgjidhjes së kontestit për emrin. Kjo mund mos të na pëlqej, por ky është realiteti”, ka deklaruar Dimitrov. Ai ka theksuar se marrëveshja është më e mira që ka mundur të arrihet dhe se me të mbrohet identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase.
A do të dalë elektorati i VMRO-së në referendum?
Vendimin për të mos votuar më 30 shtator, Ivanov e ka bërë të ditur nga SHBA-ja, gjatë vizitës që i kishte bërë Kishën Ortodokse në Detroit. Ivanov ka thënë se marrëveshja është e dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore, andaj edhe do t’i përmbahet siç ka thënë, “premtimit për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedon”.
“Unë isha një nga ata që kanë dhënë votën time për Republikën e Maqedonisë, në vitin 1991, për konstituimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran, me emrin dhe identitetin e saj. Dy herë kam marr besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit. Kam marr besimin që të mos pranoj idetë dhe rekomandimet që rrezikojnë identitetin kombëtar, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën dhe modelin e bashkëjetesës. Unë nuk heq dorë nga premtimi im andaj më 30 shtator nuk do të dal të votoj”, ka deklaruar Ivanov.
Kreu i shtetit ka drejtuar me këtë rast akuza të rënda ndaj partive politike, që sipas tij, po shkelin vullnetin e qytetarët, të cilët sipas Ivanovit, nuk i kanë votuar për të punuar kundër interesave të tyre.
“Mendoj se kjo marrëveshje është e dëmshme për Maqedoninë. Asnjë politikan nuk ka mandat të negociojë për identitetin e një populli. Shumica e qytetarëve maqedonas nuk kanë votuar për program, me të cilin është paraparë ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, për të ndryshuar emrin e shtetit. Prandaj, as qeveria aktuale nuk ka marr mandat nga populli, e as nga votuesit për ndryshimin e identitetit, për heqje dorë nga diaspora, për humbjen e historisë”, ka deklaruar Ivanov.
Referendumi më 30 Shtator vlerësohet si vendimtar për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Personalitete të larta evropiane dhe amerikane referendumin e kanë vlerësuar si ngjarjen më të madhe historike që nga pavarësia e Maqedonisë, më 1991, andaj edhe kanë bërë thirrje për të shfrytëzuar këtë “moment historik”, që i hap perspektivës qytetarëve të këtij vendi.
Pas kancelares gjermane, Angela Merkel, Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, nënpresidentit amerikan, Mike Pence, mesazhe për dalje në referendum së fundi ka përcjell edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve të Maqedonisë./REL