Temperaturat ekstreme që na kanë shoqëruar këto ditë vjeshte do të marrin fund në mesjavë. Por moti do të vazhdojë të na surprizojë edhe në muajt në vazhdim.
Sinoptikanët parashikojnë se dimri i këtij viti nuk do të jetë i zakontë, por pritet të jetë i ngrohtë, thuajse i njëjtë me atë të vitit të shkuar.
“Tetori, Nëntori, por edhe Dhjetori do të jenë më të ngrohtë sesa normaliteti i tyre. Kjo për shkak të prezencës së fenomenit “El Nino” edhe gjatë fillimit të vitit dhe muajve të fundi të dimrit”.
Por edhe pse në këto kushte, nuk do të mungojnë ditët e acarta, apo ato ku reshjet e shiut mund të rrezikojnë përmbytje.
“Parashikohet që temperaturat të jenë nga 1 deri 3 gradë celsius mbi normalitetin e tyre. Kemi prezencë të reshjeve. Do të ketë periudha të shkurtra ku temperaturat do të jenë ekstremisht të ulëta” – thotë Tanja Porja për Klan.
Në këtë mënyrë parashikimet flasin për një pranverë të mbushur me reshje shiu, të cilat mund të zgjasin deri në Qershor.
/b.d