Një adoleshent indonezian ka mbijetuar 49 ditë në det, përpara se të shpëtohej nga një anije me flamur panamez dhe të kthehej në shtëpi. Aldi Novel Adilang, një 19-vjeçar nga Sulawesi, punonte si mbajtës i llambës gjatë peshkimit, në një zonë rreth 125 km nga bregu. I riu ishte i punësuar për të ndezur llambat e mjetit lundrues, të cilat tërheqin peshkun.
Çdo javë, dikush nga kompania e tij do të vinte për të mbledhur peshkun e kapur dhe për t’i çuar djaloshit ushqim, ujë dhe karburant. Mjeti lundrues prej druri, njëri prej 50 të tillëve që babai i djalit ka në pronësi, u largua shumë nga bregu, pasi erërat këputën kavot e ankorimit.
Edhe pse me shumë pak ushqime në magazinë, ai ia doli të mbijetonte duke djegur dru nga varka për të gatuar dhe duke e filtruar ujin e detit nëpërmjet veshjeve, për të minimizuar kripën. MV Arpeggio, një anije me flamur panamez, e gjeti atë në ujërat e Guamit, më 31 gusht.
I intervistuar nga kanali lokal i lajmeve, TribunManado, Aldi tha se ai mendonte se do të vdiste, pa i ardhur njeri në ndihmë. Ai tha se kishte menduar vetëvrasjen, por kujtoi këshillën e prindërve të tij për t’u lutur në momente ankthi. Ai përdori një Bibël që kishte me vete dhe gjeti forcën për të vazhduar përpara.
Pasi e shpëtuan, kapiteni i anijes panamez kontaktoi rojet bregdetare të Guamit dhe meqë anija po udhëtonte drejt Japonisë, djaloshi u dërgua në Tokuyama më 6 shtator. I riu fluturoi drejt shtëpisë në Manado, më 8 shtator, i shoqëruar nga zyrtarë të konsullatës, dhe raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.
ma.me