Ditën e djeshme u zhvillua etapa e katërt dhe e fundit e Turit të Shqipërisë për kategorinë “Junior”. Kjo etapë ishte e gjatë 70 kilometra nga Korça deri në Qafë Thanë. Gara u mbyll normalisht dhe triumfuan çiklistët shkodranë të Vllaznisë, ku Bruno Kola u shpall fitues, duke lënë pas dy kolegët e skuadrës, Astrit Kronaj që u rendit i dyti dhe Dëfrim Dhollën, i cili u rendit i treti.
Vllaznia fitoi edhe në rang ekipor, por të gjithë vëmendjen e tërhoqi një incident i ndodhur pas përfundimit të turit, pasi kur po bëhej gati organizimi i ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, ndodhi një sherr ku protagonistë ishin çiklistët e ekipit të Vllaznisë, të cilët sulmuan fizikisht një çiklist të skuadrës së Burrelit, pasi kishin pasur disa përplasje verbale gjatë etapës. Kjo ngjarje u bë shkak që Federata e Çiklizmit ta pezullojë dhënien e çmimeve dhe të mos i njohë rezultatet e këtyre garave.
Presidenti Skënder Anxhaku bën me dije që për këtë ngjarje do të mblidhet kryesia dhe komisioni i etikës në Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe do të marrë një vendim në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar dhe deri në marrjen e këtij vendimi, nuk do të ketë fitues për Turin e Shqipërisë për kategorinë “Junior”. Pra, gjithçka mbyllet në mënyrën më të keqe dhe atëherë kur pritej të ishte një ditë feste për çiklistët e rinj, përfundon në një ngjarje shumë të shëmtuar që nuk ka asnjë lidhje me sportin./Panorama
a.ç