“Partia Socialiste nuk mund të pranojë asnjë propozim që synon të krijojë një strukturë paralele për të anashkaluar strukturat e ngritura posaçërisht për Vetingun, siç janë Byroja Kombëtare e Hetimit apo Prokuroria e Posaçme”.
Kështu deklaroi sot nga Kryesia e Kuvendit, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, e cila reagoi pas deklaratës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për vetingun e politikanëve.
Partia Socialiste, tha ajo, është forca e vetme politike në Shqipëri që ka mbështetur gjithmonë pa kushte Vetingun dhe reformën në Drejtësi.
“Ne jemi të parët që kemi pranuar nevojën për të shtrirë pastrimin që po bëhet në pallatin e drejtësisë edhe në politikën shqiptare. Për këtë arsye, PS mbështet çdo nismë që ndihmon avancimin sa më të shpejtë të këtij procesi vendimtar për të ardhmen europiane të vendit tonë”, – shtoi Bushka.
Duke shprehur gatishmërinë për t’u ulur në çdo çast me opozitën nëse ata kanë sugjerime të vlefshme në këtë drejtim, Bushka shtoi se “nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kurrë të gatshëm që të bëjmë çfarëdo kompromisi në kurriz të Vetingut”.
Ajo theksoi se, Partia Socialiste është e gatshme që t’i çojë propozimet e opozitës për vetingun e politikanëve në Komisionin e Venecias dhe të pranojë opinionin e këtij komisioni.
Deputetja socialiste u shpreh se, vetingu në Drejtësi nuk negociohet dhe nisma e kërkuar nga PD për vetingun e politikanëve, përveçse nuk ka asnjë gjë të detajuar, vendos në rrezik serioz procesin.
“Lulzim Basha kërkon që të krijojë një strukturë të re për të hetuar kontaktet e politikanëve, por ne jemi të bindur që për të pastruar një herë e mirë politikën nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet që të hetohen jo vetëm politikanët, të ardhurat, shpenzimet dhe kontaktet e tyre, por edhe ato të familjarëve, krushqive apo miqve të afërt”, – vijoi ajo.
“Nëse duhet veting, – tha Bushka, – ai duhet të jetë për politikanët dhe familjarët, jo siç do Luli, që nusen, kunatin, vëllain apo fëmijët e Saliut t’i lërë jashtë”. “Një veting që merret vetëm me thashetheme, pa dënuar, pa hetuar dhe as burgosur, nuk i sjell asnjë të mirë qytetarëve shqiptarë”, – shtoi Bushka.
Sipas saj, “nëse sinqerisht opozita dëshiron vetingun, do të vinte në tavolinë për të shpjeguar propozimin dhe për të kërkuar bashkëpunim për hartimin e këtij ligji”.
Por, sipas saj, për fat të keq edhe një herë qëndrimi i opozitës është pengimi i reformës në Drejtësi.
“Qëndrimi i tyre i vetëm është të fshihen pas thashethemeve, për të penguar zbatimin e shpejtë të vetingut në politikën shqiptare”, – tha ajo.
/b.d