Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-që rinkonfirmoi në detyrë gjyqtarin Gentian Medja. SIpas KPK, gjyqtari kaloi të tre shtyllat e vettingut.
Por, pas propozimit të ONM, u vendos apelimi i vendimit.
Njoftimi i Komisioneri Publik:
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë.
Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk është i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Gentian Medja.
Mbështetur edhe në rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr.60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryejë rivlerësimin e aftësive profesionale të z. Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore, të parashikuara në ligjin nr.96/2016.
Bazuar në përmbajtjen e nenit F të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe pikës 2 të nenit 66 të ligjit nr.96/2016, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i sugjeron Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën e kryerjes në vazhdimësi së rivlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të Rregullores së Institucionit të Komisionerëvë Publikë, ankimi është publikuar në faqjen zyrtare të këtij institucioni www.ikp.al.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Vendimi i KPK
Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firedes Shuli dhe Xhensila Pine vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Medja në fillim të gushtit, pasi hetimi administrativ i ndërmarrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se gjyqtari përmbushte me suskes të tre kriteret e procesit të rivlerësimit.
Sipas raportit të ILDKPKI, deklarimi i pasurisë së gjyqtarit ka rezultuar i saktë dhe nuk ka pasur fshehje të pasurive.
Sipas relatores së çështjes Firdes Shuli, Medja, me eksperiencë gjykatës në Shkodër dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës, është treguar “tërësisht bashkëpunues” me komisionin dhe ka marrë raporte të pastra nga ILKPDKI si dhe nga hetimi administrativ i komisionit për pasurinë e tij dhe të prindërve të tij të përbërë nga një apartament i privatizuar në Shkodër dhe disa llogari bankare kursimesh për një total prej 4.1 milionë lekësh bashkë me disa aksione të prindërve në ndërmarrjen e Duhan-Cigareve në Shkodër të marra nga procesi i privatizimit. Ndërmarrja ka falimentuar shumë kohë më parë dhe aksionet e prindërve të gjyqtarit nuk kanë krijuar asnjëherë të ardhura.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka raportuar në Komision pastërtinë e figurës së gjyqtarit. Gjyqtari rezulton se jeton në Tiranë në një apartament me qira dhe disponon një makinë modeste.
Medja e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 2004 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në vitin 2013 është transferuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.