I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, analisti Fatos Lubonja ka folur për aktualitetin politik si dhe lëvizjen e kreut të PDIU dhe PBDNJ për të tju bashkuar koalicionit te PD, para zgjedhjeve vendore që zhvillohen vitin tjetër.
Fatos Lubonja u shpreh se lëvizja e kreut të PDIU Shpëtim Idrizi është e parëndësishme dhe personale, pasi deputetët që ka nxjerrë kjo parti kanë qëndruar me Ramën.
“Lëvizja e Shpëtim Idrizit është më interesante sepse ka pasur edhe dy deputetë, por kur deputetët që ka nxjerrë qëndrojnë me Rilindjen dhe ikën vetëm Idrizi, atëherë bëhet e parëndësishme ikja e Shpetim Idrizit. Bëhet ndoshta një çështje personale, sepse partia e Idrizit ka qenë një partie klienteliste që është mbajtur me këta të fortët që kanë marrë vota. Lëvizja e Idrizit është një lëvizje personale, sepse nuk dimë asgjë për partinë e Idrizit. Partia e Idrizit u konsiderua si një parti tepsie nga Rama. Idrizi duhet te flasë për tepsinë, ndërsa Vangjel Dule është partia që përfaqëson minoritetin”- tha Lubonja.
I pyetur nëse opozita po synon një front të gjerë në prag të zgjedhjeve vendore, Fatos Lubonja u shpreh se opozita duhet të synojë më tepër të zhgënjyerit nga PS dhe ata që nuk votojnë.
“Opozita më shumë sesa mbledhjen afër saj të të gjithë liderëve të partive të vogla për të bërë sa më shumë vota, duhet të synojë të zhgënjyerit nga PS. Një parti është një grup interesi dhe kur një parti kërkon ta marrë tepsinë vetë, grupet e interesit ndikojnë sepse rrisin pakënaqësinë. Tërheqja e elektoratit që nuk voton duhet të jetë synim i opozitës”- tha Lubonja.