Punësimi në shtet shënoi rritje domethënëse në tremujorin e dyte të vitit, me 170,652 të punësuar gjithsej, duke u zgjeruar me 3,7 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT që i referohen listpagesave të tatimeve, punësimi në sektorin shtetëror ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2005, ku sektori publik numëronte mbi 175 mijë të punësuar.
Shqipëria hyn në vendet ish komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut.
Ulja e madhësisë së shtetit në ekonomi ishte në themel të programit të qeveriave, të cilët pas vitit 2005 ulën me tej peshën e sektorit shtetëror në ekonomi si në pronësinë e ndërmarrjeve ashtu edhe në punësim.
Pas vitit 2008 për shkak të kushteve të reja që solli kriza ekonomike, me përgjysmimin e rritjes ekonomike dhe rënien e të ardhurave buxhetore, reformat mbi administratën publike me qëllim uljen shpenzimeve publike vijuan.
Por tre vite vitet e fundit punësimi në sektorin publik është në rritje të shpejtë edhe pse Kryeministri Rama ka ndërmarrë një reformë ristrukturimi me qëllim shkurtime të mëtejshëm në mandatin e dytë të qeverisjes.
Në kuadër të kësaj reforme, numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe eficiente. Por teksa numri i ministrive dhe agjencive në varësi të tyre është në ulje, nga ana tjetër punonjësit në administratën publike janë në rritje të shpejtë.
Sipas të dhënave zyrtare nga statistikat e sigurimeve për vitin 2017 shihet se numri i punonjësve në sektorin publik është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit. Në vitin 2017 ishin punësuar mbi 14 mijë persona më shumë se në vitin 2015, kur qeverisja Rama nisi reformën për një administratë të vogël.
Numri i të punësuarve në vitin 2017 është zgjeruar me 9.6 për qind në raport me vitin 2015, teksa shihet se shtesa më e madhe ka ndodhur në vitin 2016 me rreth 9655 persona më shumë se në vitin 2015, teksa në vitin 2017 u shtuan 4300 persona ose 2.8 për qind.
Punësimi në shtet sipas analizave që kanë bërë institucionet financiare vitin e kaluar është nxitur nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku zakonisht administrata publike pëson fryrje.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2017, Kryeministri bëri një organizim të ri të sistemit të qeverisjes dhe mënyrës së organizimit funksional, por shifrat zyrtare që i takojnë tremujorit të dytë të vitit tregojnë për një rritje të mëtejshme të punësimit në sektorin shtetëror. Monitor
a.ç