Ndërtimi i autostradës me Kosovën është vendosur në listën prioritare të Qeverisë. Ministrat e ngarkuar për ekonomi kanë vendosur ndërtimin e aksit Shkup – Bllacë të fillojë në pranverë.
Në fazën e parë do të ndërtohen 1,6 kilometra ndërsa njëkohësisht do të punohet në projektimin e kilometrave tjerë, nga 13 sa janë gjithsej.Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski nuk deshi të komentojë sa do të kushtojë projekti në fjalë.
“Pritjet tona, në bazë të vendimit që e mori Këshilli ekonomik i Qeverisë, prioriteti kryesor është aksi Shkup – Bllacë, krahas autostradave tjera që ndërtohen. Këtë desha ta njoftoj. Kështu që, ky aks do të fillojë të ndërtohet pranverën e ardhshme. Kam kujdes për këto gjëra, sepse ne duhet një ditë të dalim para qytetarëve dhe të njoftojmë sa mjete janë shpenzuar sepse mund të krijohet ndonjë situatë tjetër”, tha Sugareski.
Para një jave, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani deklaroi se autostrada Shkup – Bllacë do të kushtojë rreth 100 milionë euro. Fondet do të sigurohen nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim ndërsa një pjesë nga arka e shtetit.
“Sipas projektit bazë që jemi duke e përgatitur me mjetet e Fondit evropiane për Ballkanin Perëndimor që i siguroi Sekretariati për çështje evropiane, parashihen katër tunele dhe nëntë ura në këtë trase prej 12,4 kilometra”, tha Osmani.
Kjo autostradë deri në Kosovë është kërkesë shumëvjeçare e komunitetit të biznesit, sidomos e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Deri më tani, projekti në fjalë rregullisht ishte pjesë e programeve zgjedhore të partive, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, por për momentin nuk ka realizim konkret, përgatiti Koha. (b.an)