Marie Tae McDermott, NewYork Times/
Kapiteni Harith al-Sudani, spiuni më i suksesshëm i Irakut, vdiq pas vijës së armikut dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë. Familja në zi kishte nevojë për provat e vdekjes, në mënyrë që të merrnin shpërblimet që u takojnë njerëzve të rënë në detyrë. Për një vit kërkesat e tyre u penguan nga burokracia e ngadaltë e Irakut.
Margaret Coker, shefja e byrosë së Bagdadit për New York Times-in, kaloi pesë muaj duke raportuar historinë e kapiten Sudanit. Dymbëdhjetë orë pasi u botua artikulli i saj, një asistent i kryeministrit Haider al-Abadi telefonoi familjen Sudani në Bagdad, duke iu ofruar një ndërhyrje në emër të tij. Pak ditë më vonë, familjes iu tha se do u lëshohej një certifikatë zyrtare vdekjeje.
Dy artikuj të tjerë nga sektori ndërkombëtar u ndoqën nga një veprim i atypëratyshëm; një nga Hannah Beech, shefi i byrosë së NYT në Azinë Juglindore, mbi një çështje mbi nuset fëmijë në Malajzi; dhe një nga Norimitsu Onishi, shefja e byrosë së Johanesburgut, dhe Selam Gebrekidan, korrespodent i huaj me bazë në Londër, mi mungesën e higjienës në shkolla në Afrikën e Jugut.
Spiuni i Irakut
Artikulli i znj.Coker detajonte sesi kapiten Sudani u infiltrua në Shtetin islamik dhe prishi dhjetëra bombardime mjetesh dhe sulme vetëvrasëse. U mor nga mediat vendase në Bagdad disa orë pasi u botua në website-in e NYT dhe qarkulloi në Twitter-in e irakianëve dhe u diskutua në emisionet mbrëmësore televizive. “Pas më shumë se 15 vjet gjakderdhje, luftë civile dhe zi, irakianët kanë pasur nevojë të dëshpëruar për një hero”, shkruante në një e-mail znj. Coker. “Historia e kapiten Sudanit është manifestimi i pjesës më të mirë të kulturës dhe shoqërisë së tyre – aspekte nga jeta irakiane që rrallë vihen në dukje apo përshkruhen, sidomos në shtypin perëndimor.” Kur mësoi se zyrtarët do të dëgjonin rastin e familjes Sudani, znj.Coker u gëzua tej mase: “Dhimbja e humbjes së një familjari është e rëndë mjaftueshëm, edhe pa agoninë e qorrsokakut burokratike që të dënon njohjen e humbjes tënde. Ky depërtim ishte pjesa më e mirë e rrëfimit – na u desh ta përditësonim me një fund të lumtur.”
Nusja – fëmijë nga Malajzia
Martesa e një vajze 11-vjeçare, e njohur si Ayu, me të atin e shoqes saj më të mirë, një burrë malajzian, 30 vjet më i moshuar se ajo, ndezi një stuhi që mbërtheu edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshi edhe NYT. Protesta mbi martesën, që e bënte vajzën njerkë të shoqes së saj më të mirë, ngriti gjithashtu një diskutim – nga mediat sociale deri në Parlament – rreth moralit të martesave të fëmijëve në Malajzi, ku në disa raste janë të lejuara. (Megjithëse e lindur në Tajlandë, Ayu u rrit në Malajzi, ku i ati shpërnguli familjen për shkak të punës.)
Zonja Beech komunikoi me palët në qendër të debatit: Che Abdul Karim Che Abdul Hamid, tregtari i pasur i gomës, i cili u martua me Ayu-në dhe disa anëtarë të familjes së tij, përfshi bashkëshorten e tij të dytë, e cila pasi mësoi rreth martesës së tretë, postoi një fotografi të çiftit, që u bë virale. “Historia jonë mori shumë vëmendje në Malajzi”, shkroi në një e-mail znj.Beech. “Mendoj se shumë malajzianë ndihen të turpëruar nga ky fenomen kohëgjatë i martesave të fëmijëve; ata nuk duan që vendi i tyre të njihet për këtë.
Ata do të pëlqenin që ligjet të pasqyronin një shoqëri më moderne. Megjithatë, ka një tjetër grup njerëzish, të cilët besojnë se ligjet federale nuk duhet të bien në konflikt me ligjin e Sheriatit dhe statute të tjerë.”Disa javë pasi artikulli u botua, zyrtarë të qeverisë tajlandeze njoftuan gazetaren se Ayu ishte kthyer në vendlindjen e saj, Tajlandë, me prindërit dhe, ishte në kujdesin e shërbimeve sociale.
Kriza e higjienës në shkollën afrikano-jugore
Pasi dy fëmijë u mbytën në gropat septike të tualeteve (nevojtore bazike në dhè) në një shkollë në provincën Mpumalanga në Afrikën e Jugut, korrespodentët e NYT Norimitsu Onishi dhe Selam Gebrekidan investiguan mbi sistemin e arsimit, që po rrënohej e që çoi në vdekjen e tyre.Artikulli i tyre drejtoi gishtin te zëvendës presidenti i Afrikës së Jugut, David Mabuza, i cili është ish-kryeministri i provincës “ku miliona dollarë për sistemin arsimor janë zhdukur në një vorbull shpenzimesh të dyshimta, ndërtime publike të falsifikuara dhe korrupsion i pacipë për të furnizuar ambiciet e tij politike, sipas të dhënave të qeverisë dhe zyrtarëve në partinë e tij.”
Dhjetë ditë pas botimit të artikullit, presidenti Cyril Ramaphosa lajmëroi prezantimin e një programi të ri, Higjiena e Përshtatshme për Nismën e Edukimit, për t’i dhënë fund problemit. Ndikimi afatgjatë i veprimeve të ndërmarra në përgjigje të tre artikujve të botuara në New York Times është i pasigurt. Një zyrtar irakian bëri me dije se ka dhjetëra familje si ajo e Sudanit, që luftojnë për të kapërcyer pengesat burokratike, në mënyrë që të marrin shpërblimet pas vdekjes. Aktivistët thonë se nisma e prezantuar nga presidenti i Afrikës së Jugut nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur krizat e higjienës së vendit, ndërsa katër mijë shkolla janë ende të pajisura me nevojtore me gropa vdekjeprurëse septike.
Dhe, ndërsa Ayu u nda nga bashkëshorti i saj përmes ndërhyrjes tajlandeze, problematika e martesave të fëmijëve në Malajzi duhet ende të zgjidhet, edhe nëse qeveria thotë se po punon drejt rritjes së moshës minimale të celebrimeve në 18-vjeç. Znj.Beech tha se shumë malajzianë janë të shqetësuar se, asnjë trup qeveritar nuk ka ndërmarrë hap përpara, për të mbrojtur vajzat si Ayu. Megjithatë, Michael Slackman, redaktori i sektorit ndërkombëtar të New York Times-it, theksoi se fakti që këto histori kanë pasur ndikim të menjëhershëm në një kohë relativisht të shkurtër, sinjalizon pushtetin e shtypit për të ndikuar ndryshime. “Gazetaria jonë ka pasur ndikim të qartë në jetët e njerëzve në tre shtete, në dy kontinente”, tha ai. “Ky është testament i qasjes në rritje të raportimit global të NYT.”
a.ç