Dashamir Shehi i ka bërë thirrje kreut të PD të mos hyjë në zgjedhje me ligjin aktual zgjedhor, pasi parashikon se në një rast të tillë, ai do të dalë i humbur.
I pyetur nëse opozita është e gatshme për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare e ato lokale, siç është shprehur kreu i PD-së në takimin me strukturat në Shkodër, Shehi tha:
“Ideja për t’i bërë zgjedhjet administrative bashkë me zgjedhjet politike sigurisht me një ligj të ri, nëse do të jetë ky ligj që është sot, edhe Basha po i hyn kot një aventure të panevojshme. Duhet të jetë një ligj i ri që t‘i jap shanse shqiptarëve që ta pastrojë vendin e vetë nga personazhe të pavlefshëm, të korruptuar. Kjo do të ishte një zgjedhje shumë e mirë për Shqipërinë”, deklaroi Shehi, i cili fitoi mandatin e deputetit gjatë zgjedhjeve të fundit në listat e PD-së, por me siglën e LZHK-së.
Ndryshimet e nevojshme në ligjin zgjedhor ende nuk janë prekur konstaton aleati i Lulzim Bashës, Dashamir Shehi. Për Report Tv, Shehi vlerëson që ndryshimi i sistemit do të përbëjë reformën e vërtetë zgjedhore.
“Ne shpresojmë, sipas fjalëve, që reforma zgjedhore do të mbyllet deri në fund të këtij viti. Edhe unë, të them të drejtën, nuk është se kam ndonjë entuziazëm të madh. Nuk po flitet për reformën e vërtetë, për sistemin. Diskutimi ka mbërritur deri tek çështja e numërimit të votave me elektronik, votimi elektronik, numërimi elektronik, edhe një ide për votimin e emigrantëve. Këto tema janë hapur”, u shpreh Dashamir Shehi.
Sipas tij, reforma zgjedhore duhet të mbetet prioritare.
/b.d