Në këtë fillim shtatori galeria FAB është duke u pastruar e transformuar tërësisht në pritje të sezonit të ri artistik. E lyer me ngjyrë qumështi gjithandej, përfshi edhe hyrjen, ajo pret autorin e parë të ekspozitës. Dhe i pari që do të mbërrijë me një ekspozitë personale më 13 shtator është Gregor Rama, djali i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Posteri i varur në hyrje të Galerisë FAB na informon për datën e hapjes, kuratorin dhe titullin e ekspozitës: Greg Rama-“Fidem”. Kuratori i kësaj ekspozite Vladimir Myrtezai konfirmon se ekspozita do të çelet në datën e caktuar, por nuk e zbulon përmbajtjen dhe konceptin e saj. Myrtezai shprehet se preferon t’i ruaj surprizat në prag të çeljes së ekspozitës. Ndërsa na ndan vetëm një javë nga çelja e kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë deri më 30 shtator. shohim se në galerinë Fab po punohet fort për të rregulluar hapësirat ekspozuese. Galeria Fab ishte restauruar tërësisht. Në mjediset e saj sapo ishin sjellë vetëm dy objekte që do të jenë pjesë e ekspozitës, një kosh me shigjeta dhe një sferë gjigante dhe e bardhë prej qelqi. Këto objekte na lanë të kuptojmë se bëhet fjalë për ekspozimin e një arti multimedial.
Një ekspozitë arti e Greg Ramës nuk ka si të mos ngjall kuriozitet, kur dihet që babai i tij Edi Rama është një nga piktorët më të njohur në vend. Greg Rama nuk është shfaqur shpesh në artet pamore me ekspozitat personale, dhe kjo të shton kuriozitetin se çfarë mund të ketë krijuar këtë herë. Katër vjet më parë, Greg Rama surprizoi me një ekspozitë të artit fotografik, e cila u prit me kuriozitet të madh nga mediat dhe publiku. Pothuajse të gjitha mediat shkruan se Greg Rama po ecën në gjurmët e të atit. Greg Rama tashmë në moshën 28-vjeçare është shfaqur në publik edhe me shkrime kritike për probleme të realitetit që na rrethon. Me sa duket nuk ka si të ndodh ndryshe, për një pinjoll të ri që vjen nga një derë artistësh të njohur. Gjyshi i Greg Ramës, Kristaq Rama, ka qenë një nga skulptorët më të njohur në vend.
Veprat monumentale të Kristaq Ramës gjenden nëpër sheshe e parqe të vendit e dhjetëra skulptura e grafika janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. I biri Edi Rama, sot kryeministër i vendit u bë piktor i njohur që në fillimin e viteve ’90. Ai së bashku me plejadën e piktorëve të njohur të brezit të tij, ku përfshihet edhe kuratori i ekspozitës së Greg Ramës, Vladimir Myrtezai, i dhanë një kthesë artit shqiptar me kahje nga modernizmi.