Reforma, reforma, vetingu, vetingu, por numri i atyre që kanë informacion real mbi institucionet e reja të drejtësisë është minimal.
Një anketim i kryer me grupe studentësh të fakulteteve juridike, shkencave politike dhe shkencave të komunikimit në disa universitete publike e private në Tiranë tregoi se më pak se 10% e studentëve kanë njohuri mbi institucionet e reja të sistemit të drejtësisë.
Një analizë tjetër monitoruese e raportimeve në media nga gazetarët reporterë, gjithashtu tregon se rreth 50% e raportimeve kanë qenë të pasakta në referimet mbi organet e reja të drejtësisë. Ironike, por nga monitorimi i ligjërimit politik mbi reformën rezulton se edhe një pjesë e konsiderueshme e politikanëve, përfshirë deputetët që kanë votuar ndryshimet kushtetuese dhe paketën e reformës, nuk kanë njohuritë dhe informacionet thelbësore mbi institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri.
Problemi është i thjeshtë: nëse nuk e njohim reformën, nuk e dimë se cilat do jenë produktet institucionale të saj, cilat janë institucionet e reja dhe cilat janë ndryshimet me sistemin e vjetër të drejtësisë, – atëherë është e vështirë të krijohet vizioni i qartë mbi reformën dhe shumë herë më e vështirë të flitet e të krijohen pritshmëri ndaj saj.
Institucionet e reja nuk janë të ‘reja’ vetëm në formatim individësh, por të reja në bashkëveprim, në ndarje e balancë kompetencash. Kjo video e shkurtër informohen shkurtimisht mbi institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe mbi cilësitë kryesore të tyre.
ISP po monitoron reformën, në fazat e saj aktuale dhe sidomos, po ndihmon në njohjen e saj më të madhe publike, në stafet universitare dhe studentët e drejtësisë, shkencave politike dhe të komunikimit.
Qëllimi, – ata të jenë të mirë-informuar, të interesuar dhe indirekt edhe kontribuues në ecjen e gjatë e komplekse drejt një sistemi të ri të drejtësisë, të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale në Shqipëri.
Materiali është realizuar nga stafi i Institutit të Studimeve Politike në kuadër të projektit “Reforma në drejtësi: me qytetarët dhe për qytetarët. Nga ligjet tek jetësimi praktik. Informim, lobim dhe monitorim”
Mbështetur nga programi i ligjit, OSFA.