“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territori e nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë”.
Hashim Thaçi e përsëriti edhe njëherë përpara ambasadorëve të huaj, mesazhin që po përçon prej ditësh në publik. “Kosova – vazhdoi ai, – ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetësisë së saj, por që të vazhdojë më tej, duhet të mbyllë çështje të hapura që i ngadalësojnë avancimin”.
“Marrëveshja historike e paqes Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke. Pra, nëse arrihet marrëveshja duhet të ndodhë njohja reciproke dhe heqja e të gjitha pengesave për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, demarkacioni do të ndodhë, si përfshirja e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Por, edhe diçka duhet të them shumë hapur, Kosova nuk ka kuptim pa Mitrovicën e Gazivodën. Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.
Çdo marrëveshje me shtetin serb, sipas presidentit do të bëhet në atë mënyrë që të jetë e pranueshme për SHBA-të dhe BE-në. Zërat që flasin për ndarje, ai i quajti proruse e proserbe.
Kryeministri Ramush Haradinaj, nga ana tjetër përsëriti se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të detyrueshme për të dyja vendet. Në veriun e Kosovës, ndërkohë, serbët përgatiten për vizitën e Aleksandar Vuçiçit.
a.ç