Gazetarja e njohur e “BBC”, Rachael Bland, e cila një vit më parë u diagnostikua me kancer, ka ndërruar jetë ditën e sotme.
Rachael u përpoq të tregohej e fortë për djalin e saj si edhe për bashkëshortin, teksa postimet e saj në Twitter kanë përlotur familjarët, kolegët si edhe gjithë ndjekësit.
Siç ajo do dëshironte, bashkëshorti i saj ka postuar mesazhin e ndarjes nga jeta në Twitter:
“E bukura dhe guximtarja jonë Rachael ka ndërruar jetë këtë mëngjes, e rrethuar nga familja e saj e ngushtë. Ne jemi të trishtuar por ajo do dëshironte që unë të falënderoja të gjithë ata që u interesuan për të dhe i dërgonin mesazhe mbështetjeje. Ju kurrë nuk e dini sesa shumë vlerë kishit për të. Steve dhe Freddie”.
Vetëm një ditë më parë, Rachael njoftoi përmes postimit në Twitter se koha e saj kishte ardhur dhe falënderoi të gjithë për mbështetjen.
“Njësoj siç tha legjenda Frank Sinatra. Kam frikë se ka ardhur koha miqtë e mi. Krejt papritur. Më kanë thënë se kam edhe pak ditë jetë. Është kaq surreale. Faleminderit të gjithëve për gjithë mbështetjen tuaj. Mirupafshim miqtë e mi”.
Pak muaj më parë Rachael deklaroi se do të shkruante një libër ku do të shkruante gjithçka rreth saj, në mënyrë që i biri ta kishte pranë sa herë që t’i mungonte.
a.ç