Sot është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës. Miliona njerëz në vende të ndryshme në botë kanë kujtuar sot bamirësen e madhe shqiptare, në dy vjetorin e shenjtërimit të saj nga Vatikani, që përkon gjithashtu edhe me 21-vjetorin e ndarjes nga jeta.
E lindur në Shkup, nga prindër shqiptarë, më 26 Gusht të vitit 1910, Gonxhe Bojaxhiu u shndërrua në një nga misionaret më të mëdha të luftës kundër varfërisë, për të cilën mori edhe Çmimin Nobel.
Veprimtarinë e saj, Nënë Tereza e zhvilloi kryesisht në Kalkuta, Indi, ku shkoi më 1929-ën dhe ku prehet aktualisht, pasi humbi jetën pikërisht më 5 Shtator të 1997-ës, pas një ataku kardiak.
“Shpërndani dashurinë kudo që të shkoni. Mos lejoni asnjë njeri që vjen te ju, që të largohet i palumtur. Duke kujtuar Nënë Terezën e Kalkutës”, shkroi në twitter kryeministrja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee.
Në Kalkuta u organizuan ceremoni të ndryshme lutjeje, ndërsa shumë murgesha, bashkë me publikun e gjerë, ndezën qirinj në “Mother House”, që ndodhet në këtë qytet.
Edhe Kisha Katolike në Indi mbajti një meshë paraditen e sotme, ku u përkujtua veprimtaria hyjnore e Nënës së Shenjtë dhe u ndezën qirinj në nderim të saj.
Adhurues të shumtë dhe besimtarë katolikë po kujtojnë shenjtoren sot edhe në Vatikan, aty ku Papa Francescu e shpalli “Shën Tereza e Kalkutës”, dy vite më parë./a.m.