Pas deklaratave të kreut të PD Lulzim Basha pasditen e sotme se lagja ‘Rus’ pranë Dobraçit është jashtë kontrollit, forca të shumta të policisë dhe FNSH kanë rrethuar në mbrëmjen e sotme lagjen në qytetin verior.
Në këtë zonë jeton familja Bajraj që është akuzuar nga Partia Demokratike pak ditë më parë si e përfshirë në botën e krimit. Njëri prej anëtarëve të familjes është Safet Bajraj, që u bë i njohur pas historisë së përplasjeve në Belgjikë dhe akuzave nga PD, si i lidhur me një deputet të majtë.
REPORT TV ka siguruar pamje nga aksioni i policisë në këtë zonë, ndërsa bëhet me dije se po kryhen kontrolle të shumta në banesa dhe lokale për personat që janë në kërkim.
Në Shkodër në muajt e fundit janë shënuar mjaft ngjarje kriminale. Ditën e shtunë në periferi të qytetit u vra biznesmeni Arjan Ferracaku, ndërsa në dy muajt e fundit në total janë 6 viktima dhe 2 të zhdukur. Ministri i Brendshëm Xhafaj paralajmëroi sot nga foltorja e Kuvendit se në vjeshtë do të goditen bandat./a.m.