Parku i Liqenit Artificial është kthyer në hapësirën më të pëlqyer për qytetarët e Tiranës dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme social-kulturore.
Për dy ditë me radhë, balonat shumëngjyrëshe të përmasave dhe formave të ndryshme, mbushën qiellin në Festivalin Ndërkombëtar të Balonave, që rikthen pas shumë vitesh një traditë të bukur të kryeqytetit.
“Kemi rikthyer festën e balonave në Tiranë, që do të zhvillohet çdo vit te Liqeni. Do të jetë një traditë, siç ishte për ne kur ishim fëmijë, ashtu edhe për fëmijët sot. Është një fillim fantastik për një traditë, që besoj se do të shënojë kujtesën e atyre që do të kalojnë fëmijërinë në Tiranë”, tha Veliaj.
Ai falenderoi të gjithë ata që kontribuan për shndërrimin e kësaj hapësire të Parkut të Liqenit, duke ua kthyer qytetarëve të Tiranës me aktivitete të shumta.