Nga Alma Nikolli
Mbesa ime gati 5-vjeçe po ikën shumë e lumtur nga Shqipëria.
Jo prej faktit se është fëmijë dhe nuk ka tjetër “detyrë” në jetë veçse të jetë kryesisht e lumtur, as se u mërzit këtu, por ngaqë mori me vete “lodrën” që donte.
Një çifteli. Kështu, mes habisë dhe mërzisë, u lumturova edhe unë disi me ikjen e saj nën tingujt e çiftelisë.
Pas këtij momenti që më la jo pak mbresa, nisa një “vëzhgim” sipërfaqësor.
Çfarë marrin emigrantët me vete, çfarë ka kjo Shqipëria jonë që bota s’e ka?
Dhe filluan: raki, miell misri, çorape leshi, turshi, djathë bjeshke, çaj mali, gjëra me shqiponja, e shumë e shumë produkte të tjera. Një kushërira ime më tha duke qeshur: “Marrim çfarë të na japin.”
E vërtetë është. Ata marrin gjithçka që ne u japim që ta lehtësojnë pak ndërgjegjen tonë, që të ndihemi se ua kemi kthyer disi zemërgjerësinë.
Ne jemi si ai i varfëri që merr gjithmonë dhe ka nevojë të japë ndonjëherë që të ndihet disi njeri, mes njerëzve.
Ndodh që atë rakinë që ua japim të shkojmë në Itali, Greqi apo Angli e të na e servirin në tavolinë, se nuk e pijnë aq sa mendojmë ne, ama e marrin me shumë entuziasëm e falenderues.
Këta janë emigrantët. E shkuara, e tashmja…dhe e ardhmja jonë, mesa shihet.
Ata gjithashtu marrin me vete eksperienca negative të përjetuara kudo ku shkojnë, shërbime të cunguara e komunikim lodhës. Por sërish vijnë. I harrojnë të gjitha.
Po për të dhënë, çfarë japin?
Shpirtin e gjithçka kanë. Nuk kam nevojë të listoj një nga një mallërat që sjellin, besoj i hasni kudo nëpër shtëpitë tuaja. Dua vetëm të evidentoj më të rëndësishmen: shpresën.
Ata vijnë dhe na sjellin shpresë. Shpresën që një ditë do mund t’u themi: nuk duam më asgjë, i kemi të gjitha këtu, jemi si ju.