Gjykata e Korçës ka vendosur si masë sigurie 45 ditë burg, për tre të dyshuarit për vrasjen e 54-vjeçarit Novruz Fiqi.
Vendimi i sotëm, është caktuar me argumentin se brenda saj pritet edhe përgjigja e akt-ekspertizës.
Arben Nazif, 56 vjeç dhe dy nipërit e tij Emiljano Nazif, 30 vjeç Edison Nazif, 30 vjeç, do të qëndrojnë në qeli si të dyshuar për krimin.
Ata janë vënë nën akuzë pasi më 23 gusht, rreth orës 16:00, në bashkëpunim midis tyre pas një konflikti për motive të dobëta, në lagjen nr 8, kanë plagosur rëndë me grushta e shkelma Fiqin, i cili si pasojë e kësaj dhune fizike dyshohet se ka gjetur vdekjen gjatë natës në banesën e tij.
Ndërkohë po vijon ende puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje dhe priten konkluzionet përfundimtare të ekspertizës mjeko-ligjore.
Dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë kontrolli i zonës ku mblidhnin kanaçe.
Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.
a.ç