Ish-përfaqësuesi i veçantë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ballkanin, Carl Bildt, thotë se është iluzion të mendohet që në Ballkan mund të ketë shtete monoetnike.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Bildt e ka cilësuar si të pamundur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, pasi kjo do të prekte dhjetëra mijëra njerëz.
Bildt thotë se Kosova nuk ka unitetin e nevojshëm politik për të miratuar një plan të tillë.
“Sistemi politik në Kosovë është shumë i përçarë, dhe se është e vështirë të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës një plan që përfshin shkëputjen nga Kosova të veriut të saj”, shprehet ai.
Për më tepër, në kushtet kur Uashingtoni dhe pjesërisht Bashkimi Evropian po e mbështesin këtë ide, ose nuk po e kundërshtojnë atë, Bildt thotë se kjo mund të nxisë politikanë të tjerë në rajon për të kërkuar krijimin e shteteve monoetnike.
Sipas Bildt, nëse ideja e shkëmbimit të territoreve bëhet realitet, ajo nuk do të jetë një fenomen i izoluar.
Ai thotë se nëse Presheva mund të bëhet pjesë e Kosovës, të njëjtën gjë mund ta kërkojë herët a vonë edhe Tetova, në Maqedoni.
Bildt shprehet më tej se, duke qenë se Amerika e sotme, qëndrimi i së cilës për Ballkanin nuk është më i garantuar, një çështje e tillë do t’i lihet Evropës, e cila, sipas tij “fatkeqësisht është joaktive në raport me këtë çështje”.
a.ç