Bllokimi i qindra emigrantëve në anijen “Diccioti” në brigjet italiane duke se mori fund me ndërhyrjen e Shqipërisë e cila pranoi të strehojë një pjesë të tyre.
Shqipëria u shpreh e gatshme të pranojë 20 prej emigrantëve që ndodheshin në anije ndërkohë 20 të tjerë u pranuan nga Irlanda ndërsa pjesa tjetër prej 110 emigrantësh do të strehohen nga kisha.
Por, duket se gjërat nuk janë kaq të thjeshta dhe emigrantët mund të mos mbërrijnë kurrë në Shqipëri. Sipas Kryetarit të Shoqatës Italiane të Studimeve Juridike mbi Emigracionin, Lorenzo Trucco, ligjërisht nuk mund të lejohet transferimi i emigrantëve nga Italia në Shqipëri.
Kjo, sipas tij është e mundur vetëm nëse kjo bëhet me vullnetin e lirë të vetë emigrantëve.
“Në këtë pikë jemi jashtë çdo plani juridik, pasi Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Europian dhe në këtë mënyrë po flasim për një largim në një vend të tretë që nuk ka gjithçka që është parashikuar nga sistemi i përbashkët europian i azilit. Kjo do të thotë se nuk jemi të sigurt nëse kemi plotësuar kërkesën e tyre për njohjen e mbrojtjes. Transferimi në Shqipëri mund të bëhet vetëm nëse emigrantët janë dakord dhe jo kundër dëshirës së tyre, pasi do të ishte largim me forcë. Pastaj është edhe çështja e zgjedhjes. Si do të përcaktohet kush duhet të shkojë në Shqipëri? Është një teatër absurd”, thotë Lorenco Trucco.
Tashmë mbetet vetëm të presim se si do zgjidhet kjo çështje nga ana juridike. Edhe shoqata të tjera kanë dhënë të njëjtin argumentim ligjor në Itali./a.m.