Policia greke ka zbardhur një ngjarje kriminale të ndodhur 5 vite më parë, dhe ka arrestuar një shqiptar si njërin prej autorëve. Ai është një 23-vjeçar, i cili ishte përfshirë në sulmin që ndodhi ndaj ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, që është gjithashtu kreu i partisë “Grekët e Pavarur”.
Sipas mediave greke, bëhet fjalë për incidentin e ndodhur në Shtator të vitit 2013, në lagjen Keratsini të Athinës. Një grup personash sulmuan eskortën e ministrit Kamenos, ku mbeti i vrarë edhe këngëtari grek Pavlos Fyssas. 23-vjeçari shqiptar ishte pjesë e grupit të personave që sulmuan ministrin Kamenos.
Ky i fundit pësoi lëndime të vogla, ndërsa u dëmtuan makinat e eskortës shoqëruese. Në trazirat e shkaktuara në këtë periudhë në qendër të Athinës, u vra edhe muzikanti Pavlos Fyssas. Ai njihej si veprimtar i majtë, antifashist dhe antiracist. 34-vjeçari u sulmua nga një grup personash neonazistë të “Agimit të Artë” dhe u qëllua për vdekje me thikë.
Ndërkohë, policia greke thotë se janë identifikuar edhe disa persona të tjerë që kanë marrë pjesë në sulme të ngjashme në Greqi. Janë identifikuar dy të dyshuar që kanë marrë pjesë në sulmin ndaj Ministrisë së Jashtme në Athinë, të ndodhur më 22 Korrik 2018. Është identifikuar gjithashtu edhe një 27-vjeçar tjetër, dyshohet shqiptar, që ka hedhur molotov dhe gurë ndaj forcave të policisë në Athinë më 2 Mars 2018.
a.ç