Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat italiane për pasionin e tij për futbollin.
Në një intervistë për televizionin TELENORD të Genovës, Rama ka dhënë një intervistë me telefon për emisionin “Derby di lunedi” i cili drejtohet nga Beppe Dossena, ish-trajner i kombëtares shqiptare.
Për këtë shkak Rama bën edhe një batutë që në nisje të bisedës.
“Jemi miq tashmë të dy edhe sepse ti ke qenë trajner i kombëtares shqiptare për një kohë të shkurtër dhe pastaj erdhi Xhani, (De Biasi) dhe korri frytin e punës tënde… shaka!”, tha Rama, por e vërteta është që Dossena u largua në mënyrë të turpshme nga kombëtarja jonë pasi ndërpreu kontratën vetëm pas 6 muajsh dhe nuk ktheu as rrogat e marra paradhënie, citon lapsi.al.
“Ju e dini që përveç kombëtares, shqiptarët gjithmonë kanë bërë tifo për Italinë. Pastaj jemi të ndarë mes juventinëve dhe milanistëve… ka edhe interistë, por ata të shkretët po vuajnë paksa.
Juvja është një çështje besimi. Unë e ndjek që kur isha 6 vjeç dhe kur televizori ishte bardhezi dhe tashmë bardhezi është Juvja. Mendoj se rasti i Juves nuk është një çështje futbolli apo tifozerie. Juvja është një çështje se si bëhet skuadra dhe se si lufton skuadra. Është gjithmonë një frymëzim” – tha Rama për Telenord.
a.ç