Vonesat e fluturimeve në aeroportin e Rinasit gjatë muajit korrik dhe gusht kanë arritur shifrat rekord për vendin tonë.
Burime nga Aviacioni Civil,thanë për Ora News se nga data 1 deri me 20 gusht janë anuluar 9 fluturime dhe 16 vonesa me mbi 4 orë.
Por përveç çmimeve të larta të biletave, udhëtarët përballen edhe me vonesat e kompanive ajrore.
Në këto raste kompanitë nuk lajmërojnë më parë klientët dhe nuk përkujdesen ndaj tyre, duke i lënë të presin në rastin më të mirë, me orë të tëra në sallat e pritjet së aeroportit “Nënë Tereza” ose në rastin më të keq, pasagjerët presin fluturimin e tyre me disa ditë.
Kompanitë ajrore, në rastet më të shpeshta nuk dëmshpërblejnë pasagjerët siç ndodh ne vendet e BE, për shkak se qytetarët shqiptarë kanë mungesë informacioni mbi rrugën që duhet të ndjekin në këto raste.
Në shkurt të vitit 2005, në vendin tonë ka hyrë në fuqi rregullorja e BE 261/2004, e cila përcakton rregullat e përbashkëta mbi kompensimin dhe asistencën e pasagjerëve në situata të caktuara.
Ky legjislacion zbatohet për pasagjerët të cilët janë duke u nisur nga aeroporte që ndodhen brenda territorit të një shteti anëtar dhe të gjithë ata që vijnë në aeroporte të tilla nga një vend i tretë, ku fluturimi operohet nga një linjë e BE-së.
Në rastini e anulimit të fluturimit, pasagjeri ka të drejtën e përkujdesjes nga ana e kompanisë siç janë telefonatat, pijet, ushqimi, strehimi, transporti për në vendin e strehimit.
Në rast se fluturimi vonohet mbi 5 orë pasgjeri mund dhe të kërkojë kompensim, nësë nuk është informuar 14 ditë para fluturimit.
Për marrë kompensimin e biletës, udhëtarët duhet të kontaktojnë fillimisht kompaninë ajrore dhe nëse nuk kanë mbetur të kënaqur me përgjigjet e tyre, atëherë mund ti drejtohen me anë të një ankesë Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili është organi përgjegjës për të garantuar respektimin e të drejtave të pasagjerit në Shqipëri.
Deri në ditët e fundit të muajit gusht nuk ka patur asnjë masë të marrë nga autoritetet shqiptare për kompanitë ajrore të cilat anulojnë apo vonojnë fluturimet pa lajmëruar sipas direktivave të BE./a.m.