Tokat shtetërore mund të merren me qira deri në 99 vite. Qeveria ka përcaktuar procedurat se si mund të jepen me qira tokat shtetërore. Në çdo rast shteti monitoron kontratat.
Dhënia me qira
Dhënia me qira e tokave bujqësore në pronësi të shtetit realizohet nëpërmjet procedurës së ankandit. Subjektet e përcaktuara kërkojnë për të marrë me qira tokë bujqësore shtetërore, paraqesin kërkesën pranë strukturës përgjegjëse të qiradhënësit.
3. Kërkesa paraqitet me shkrim dhe përmban:
a) Identitetin e kërkuesit dhe dokumentin e regjistrimit si subjekt tregtar;
b) Fragmentin e hartës kadastrale të ngastrave që kërkohen për qiramarrje, në shkallën 1:2500, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo 1:5000, sipas hartës kadastrale të DAMT-it, në rastet kur zona kadastrale ku ndodhet toka bujqësore nuk është në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
c) Pasqyrën kadastrale të ngastrave, me madhësinë e sipërfaqes për secilën prej tyre;
ç) Një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese, për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit, të shprehura në vlerë, që garantojnë
investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve; Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim;
d) Planin e biznesit për aktivitetin që do të ushtrohet;
dh) Raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të përgatitur nga specialistë mjedisi të licencuar;
e) Projektin e investimeve, të përgatitur nga specialistë të licencuar;
ë) Afati i përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen;
f) Vërtetime të lëshuara nga institucionet kompetente, që konfirmojnë se nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore dhe vendore, nuk është në ndjekje penale, si dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit;
g) Vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që përcakton gjendjen aktuale të pronësisë për sipërfaqen e tokës bujqësore, objekt kërkese ose vërtetimin nga DAMT-i, pranë këshillit të qarkut, në rastin kur këto sipërfaqe përfshihen në zona kadastrale ku nuk është kryer regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse, verifikon brenda 5 (pesë) ditëve pune. Nëse kërkesa nuk është në përputhje atëherë qiradhënësi njofton ofertuesin për plotësimin e mangësive të kërkesës, duke i lënë 5 (pesë) ditë afat.
Vlera e qirasë
Vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, si në rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqitet më shumë se një ofertë, ashtu edhe në rastet kur rezulton një ofertë e vetme, përcaktohet në bazë të kategorisë së bonitetit. Përcaktimi i vlerës së qirasë për çdo tokë bujqësore shtetërore, objekt i kërkesës për qiramarrje, për të cilën do të shpallet procedura konkurruese, përcaktohet nga struktura përgjegjëse. Struktura përgjegjëse, në përcaktimin e vlerës fillestare të qirasë për hapjen e procedures konkurruese, merr parasysh karakteristikat në lidhje me bonitetin e tokës, gjendjen e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese të saj, distancën nga tregjet, nivelin e industrisë agropërpunuese, si dhe shkallën e zhvillimit të infrastrukturës rrugore të zonës. Kriteret dhe mënyra e llogaritjes së vlerës fillestare të qirasë përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Afatet
Tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon:
a) Deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;
b) Deri në 30 vjet, kur destinohen për:
i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave;
ii. krijim pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik;
iii. ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to;
iv. fidanishte.
c) Deri në 99 vjet, kur:
i. destinohen për krijim ullishtash;
ii. destinohen për krijim pemëtoresh me drufrutorë, si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje;
Monitorimi
Qiradhënësi është përgjegjës për ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura në përputhje me këtë vendim, si dhe kontratat në proces, të lidhura sipas vendimit nr. 460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, të ndryshuar. Monitorimi i zbatimit të detyrimeve të kontratave të qirasë realizohet nga struktura përgjegjëse, e cila bashkëpunon me strukturat e tjera teknike pranë qiradhënësit. Struktura përgjegjëse ndjek në vijueshmëri respektimin e kushteve të kontratave të qirasë.
Për këtë qëllim, ajo mban regjistrin e kontratave të qirasë, forma dhe përmbajtja e të cilit miratohen me udhëzimin e ministrit. Për çdo kontratë të lidhur, në fund të vitit struktura përgjegjëse harton raport të hollësishëm për respektimin e kushteve të secilës kontratë dhe ia paraqet ministrit brenda datës 20 janar. Për përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura nga ish- drejtoritë e bujqësisë ngarkohen agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor, në juridiksionin e të cilave gjendet toka bujqësore, objekt i këtyre kontratave. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për administrimin e tokave bujqësore, bën shpalljen publike dhe përditësimin e listës së ngastrave ose grup-ngastrave që do të jepen me qira në faqen e tij të internetit. Çdo palë e interesuar, që ka pretendime pronësie apo është palë në një proces gjyqësor me objekt ngastrat e tokës bujqësore në pronësi të shtetit të shpallura për qiradhënie, ka të drejtë t’i paraqesë ankesat përkatëse pranë qiradhënësit, sipas dokumentacionit të paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronës apo në gjykatë.
a.ç