Një zjarr shpërtheu sot në sallën e serverave të AKEP-it, autoritetit që kujdeset për komunikimet elektronike.
Zjarrfikësit mbërritën bashkë me policinë në ndërtesën që ndodhet mes Gjykatës së Lartë dhe Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Flakët janë shfaqur në katin e parë të ndërtesës dhe mendohet se ka qenë një defekt elektrik në sallën ku ndodhen serverat e kompjuterave të këtij institucioni.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar për tymin që po dilte nga dritaret. Ata kanë regjistruar edhe momentin e mbërritjes së zjarrfikësve.
Ende nuk bëhet e ditur se çfarë dëmi është shkaktuar në ndërtesën pa punonjës këtë të dielë.