Industria e gazit natyror të lëngët të Shteteve të Bashkuara rrezikon të humbasë tregun kinez në rritje, pasi lufta tregtare mes dy vendeve vazhdon të përshkallëzohet, thanë analistët. Shtetet e Bashkuara dhe Kina njoftuan përkatësisht më 7 dhe 8 gusht një rritje të re të tarifave këtë herë duke arritur në 25 për qind për 16 miliardë dollarë amerikanë të importeve nga çdo vend. Tarifat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë më 23 gusht, vijnë pas atyre që u miratuan reciprokisht më 6 korrik dhe që kanë prekur 34 miliardë dollarë amerikanë.
Në listën e tarifave shtesë të Kinës, u përfshi edhe gazi i lëngët, çka ishte një surprizë për shumë analistë, pasi vendi po regjistron një kërkesë në rritje për energji. Kërkesa e Kinës për energji të pastër e ka bërë atë importuesin më të madh të gazit natyror të lëngët në botë. Vitin e kaluar, vendi bleu 38 milionë ton gaz nga jashtë dhe konsumi i përgjithshëm u rrit me 17 përqind në vetëm gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat nga Administrata Doganore e Kinës tregojnë se rreth 5 për qind e gazit të importuar vjen nga SHBA. Por kjo përbënte 15 për qind të totalit të eksporteve të SHBA-së. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në tregun kinez mund të bjerë ndjeshëm pasi tarifat e reja do të rrisin koston për importuesit kinezë.
Mbi 90 për qind e importit të gazit nga Kina vjen nga pesë furnizues të mëdhenj që janë Australia, Katari, Indonezia, Malajzia dhe Papua Guinea e Re. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kërkesa e Kinës për gazin natyror do të rritet me 60 për qind gjatë pesë viteve të ardhshëm duke filluar nga 2017-a në një total prej 376 miliardë metra kub.
ma.me