Autoritetet amerikane arrestuan një anëtar të dyshuar të organizatës së Shtetit Islamik (ISIS) i cili kishte hyrë në SHBA si refugjat irakian, duke ngritur në këtë mënyrë pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e procedurave për shqyrtimin e azilkërkuesve.
”Omar Ameen, 45 vjeç u arrestua sot në Sacramento, në Kaliforni nga skuadra speciale e luftës kundër terrorizmit i policisë federale (FBI), tre muaj pasi një gjyqtar irakian kishte lëshuar ndaj tij një urdhërarresti për vrasjen e një polici në vitin 2014”, njoftoi Ministria amerikane e Drejtësisë.
Me origjinë nga Rawa, në provincën al-Anbar, Ameen hyri në SHBA në vitin 2014 pasi përfitoi statusin e refugjatit. Ai kishte bërë së fundmi një kërkesë për ”kartë jeshile”, që mundëson të drejtën për të punuar dhe qëndruar në mënyrë të përhershme në vend.
Sipas autoriteteve irakiane, Ameen besohet se ishte pjesë e dy grupeve xhihadiste Al-Kaedës në Irak dhe ISIS-it dhe se kishte ndihmuar në vendosjen e pajisjeve shpërthyese artizanale.
/b.d