Një gjykatë turke urdhëroi lirimin e kryetarit të organizatës Amnesty International për Turqinë. Lajmi u njoftua të mërkurën nga vetë grupi i të drejtave të njeriut.
Zoti Taner Kilic qëndronte i burgosur prej më shumë se një viti, i akuzuar për terrorizëm, mbështetje të klerikut mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016.
Vendimi për lirimin e zotit Taner Kilic vjen një ditë pasi një gjykatë turke lëshoi nga burgu dy ushtarë grekë, duke rritur shanset për marrëdhënie më të ngrohta mes Turqisë dhe Bashkimit Europian.
BE-ja e kishte dënuar burgimin e kryetarit të Amnesty International për Turqinë.
Taner Kilic ishte një nga disa aktivistë të të drejtave të njeriut që u arrestuan gjatë fushatës së arrestimeve, që pasoi grushtit e dështuar të shtetit.
Sekretari i ri i Përgjithshëm i Amnesty International Kumi Naidoo e përshëndeti lirimin e zotit Taner Kilic.