Janë të shumta mediat ndërkombëtare që pyesin këto orë, nëse konflikti i përgjakshëm që po konsumohet në Maqedoni në këto orë, është një përplasje e vërtetë me një grup terrorist, apo është një inskenim i brendshëm politik, që synon të devijojë vëmendjen nga ngjarjet e fundit në këtë vend. Ekspertë maqedonas dhe të huaj, citohen të deklarojnë se e shohin me shumë dyshim atë që po ndodh në zonën e banuar nga shqiptarët.
Javët e fundit kanë qenë problematike për kryeministrin Gruevski. Përgjimet e zbuluara nga opozita kanë sjellë plasaritjen e imazhit të qeverisë, ndërkohë që popullariteti i kryeministrit është tronditur. Incidentet e Kumanovës, shprehet gazetarja e njohur maqedone Tanja Milevska, mund të jenë provokuar për të shpallur gjendjen e emegjencës, me synim ndalimin e protestave të pritshme të opozitës. Sipas saj, shpikja e elementit terrorist është një strategji shumë e përdorur në këto raste.
Edhe analisti britanik James Ker-Lindsay i London School of Economics, thotë se pas zbardhjes së skandaleve të qeverisë nga ana e opozitës, opinioni reagoi ashpër dhe tani vendi përballet menjëherë me tensione etnike. Kurse analisti maqedonas Goran Peoski shprehet se në Maqedoni ka dyshime të forta, se qeveria po inskenon “akte terroriste”, duke shtyrë ashpërsimin e marrëdhënieve etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.