Numri i kalimeve të parregullta kufitare përmes 4 korridoreve kryesore në Bashkimin Europian ka rënë me 43 për qind në 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me shifrat e një viti më parë, sipas asaj që njoftoi agjencia kufitare e BE-së, “Frontex”.
Në total, sipas Frontex, në 7 muajt e këtij viti janë regjistruar 73.500 kalime ilegale të kufirit. Në muajin korrik, kalimet e paligjshme të kufirit ishin 18 për qind më të ulëta, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, “Rruga Perëndimore Mesdhetare” është përdorur më së shumti nga emigrantët për të arritur në Spanjë. Sipas Frontex-it, në total 23.100 emigrantë, që kryesisht erdhën nga Afrika, kanë përdorur këtë rrugë për të hyrë ilegalisht në Spanjë. Kjo shifër është dy herë më e lartë, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, emigrantët kanë vazhduar që të tentojnë të arrijnë në Europë edhe përmes detit Mesdhe, ndërsa sipas Frontex-it, shifrat e lëvizjes e emigrantëve përmes Ballkanit vazhdojnë të jenë modeste.
Prej ditësh është bërë e ditur se, tani është Spanja destinacioni kryesor i emigrantëve të paligjshëm nga Afrika, duke lënë pas Italinë dhe Greqinë. Vetëm gjatë këtij viti, sipas shifrave zyrtare, numri i emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Spanjë është trefishuar.
a.ç